Kompania kosovare Apetit SH.P.K., për të cilën autoritetet e Malit të Zi njoftuan se ishte destinacioni i një kontejneri me 24.650 kilogramë mish viçi të ngrirë me afat të skaduar, është njëkohësisht fituese e një kontrate publike kornizë prej afro 4 milionë eurosh për furnizimin me mish gjedhi dhe produkte të mishit të dhjetëra institucioneve publike në Kosovë, shkruan Kujdestari.info.
Rasti i zbuluar në Portin e Tivarit nuk dëshmon se mishi i ndaluar ishte i destinuar për furnizimin e institucioneve publike sipas kësaj kontrate. Megjithatë, fakti se e njëjta kompani ka marrë përsipër një kontratë të madhe për furnizimin e institucioneve me mish ngre dyshime për mënyrën se si do të kontrollohet cilësia, origjina dhe siguria e produkteve gjatë ekzekutimit të saj.
Bëhet fjalë për kontratën publike kornizë të Agjencisë Qendrore të Prokurimit, me titull “Furnizim me artikuj ushqimor -Lot 1, furnizim me mish gjedhi dhe produkte të mishit të gjedhit”. Dokumentacioni i tenderit identifikon Apetit SH.P.K. si operatorin ekonomik, ndërsa oferta e paraqitur për Lotin 1 është 3 milionë e 944 mijë e 600 euro. ( DOKUMENT )
370 mijë kilogramë vetëm mish i freskët gjedhi
Pesha e kësaj kontrate shihet më qartë kur analizohen sasitë që institucionet publike kanë paraparë të blejnë.
Vetëm për artikullin “mish gjedhi” janë paraparë 370 mijë kilogramë, me çmim prej 8.40 euro për kilogram. Matematikisht, vetëm ky produkt kap vlerën prej 3 milionë e 108 mijë eurosh.
Por kontrata nuk përfundon këtu.
Janë paraparë edhe 36 mijë kilogramë mish i bluar gjedhi, me çmim 4.80 euro për kilogram; 55 mijë kilogramë suxhuk, me 5 euro për kilogram; 32 mijë kilogramë përshutë gjedhi, me 7.80 euro për kilogram; si dhe 29 mijë kilogramë pleskavicë, me çmim prej 4.80 euro për kilogram.

Në total, sasitë e parashikuara arrijnë në rreth 522 mijë kilogramë mish dhe produkte të mishit, ndërsa vlera e ofertës është 3.944.600 euro. Tabela financiare dhe sasitë për secilin produkt janë pjesë e dokumentacionit të kontratës.
Kontrata prek dhjetëra institucione të Kosovës
Kontrata nuk është lidhur për furnizimin e një institucioni të vetëm.
Në aneksin e saj janë të listuara 73 autoritete dhe institucione kontraktuese që mund ta shfrytëzojnë kontratën.
Në mesin e tyre janë një numër i madh komunash të Kosovës, institucione shëndetësore, spitale, Qendra Studentore, QKUK-ja, Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe institucione të tjera publike. Lista në dokumentacion shkon deri te institucioni numër 73.
Kjo e zgjeron ndjeshëm rëndësinë e çështjes së kontrollit të produkteve, pasi nuk bëhet fjalë vetëm për vlerën financiare të kontratës, por potencialisht për furnizimin ushqimor të një numri të madh institucionesh publike.
Kontrata nis në dhjetor dhe zgjat dy vjet
Një tjetër element i rëndësishëm është koha.
Sipas dokumentit, kontrata është paraparë të hyjë në fuqi më 15 dhjetor 2026 dhe të përfundojë më 14 dhjetor 2028.
Kjo do të thotë se rasti i mishit të ndaluar në Mal të Zi është bërë publik para fillimit të periudhës së paraparë të kësaj kontrate.
Pikërisht kjo hap pyetjen se nëse zhvillimet e fundit do të ndikojnë në nivelin e mbikëqyrjes dhe kontrolleve që institucionet do t’i bëjnë furnizimeve pasi të fillojë ekzekutimi i kontratës.
Çfarë kërkon vetë kontrata për sigurinë e mishit?
Dokumentacioni i kontratës përmban disa mekanizma kontrolli.
Produktet duhet t’i plotësojnë standardet e përcaktuara nga institucionet kompetente në Republikën e Kosovës, ndërsa autoritetet kontraktuese kanë të drejtë të kontrollojnë produktet gjatë implementimit.
Dokumenti përcakton gjithashtu se dërgesat e produkteve ushqimore me origjinë shtazore duhet të shoqërohen me certifikata veterinare-shëndetësore.
Autoritetet kontraktuese kanë të drejtë edhe të bëjnë ekzaminimin fiziko-kimik dhe bakteriologjik të mishit në institucionin kompetent dhe të testojnë nëse produkti është në përputhje me standardet e lejuara.
Këto dispozita marrin peshë të veçantë pas zhvillimeve të fundit në Portin e Tivarit.
Brenda 10 ditësh u ndaluan mbi 102 tonë
Kujdestari.info raportoi më 25 shtator se autoritetet malazeze kishin evidentuar dy raste të ndara brenda vetëm dhjetë ditësh, në të cilat ishte ndaluar vazhdimi i transitit drejt Kosovës i gjithsej 102.491,03 kilogramëve mish viçi me afat të skaduar.
Rasti i parë përfshinte tre kontejnerë me peshë totale bruto prej 77.841,03 kilogramësh.
Sipas njoftimit të autoriteteve malazeze të cituar në raportimin e Kujdestari.info, gjatë kontrollit në frigoriferin e Portit të Tivarit ishte konstatuar se punëtorë të angazhuar nga një kompani nga Kosova dyshohej se kishin hequr etiketat origjinale të produkteve.
Në atë rast emri i plotë i blerësit kosovar nuk ishte publikuar, por ishte paraqitur me inicialet “A…” SHPK.
Dhjetë ditë më vonë erdhi rasti tjetër.
Në kontejnerin e ndaluar ndodheshin 1.321 paketime me mish viçi të ngrirë, me peshë totale bruto prej 24.650 kilogramësh. Sipas autoriteteve malazeze, afati i përdorimit kishte skaduar më 14 maj 2026.
Në njoftimin për këtë rast autoritetet malazeze e identifikuan kompaninë për të cilën ishte destinuar kontejneri si Apetiti SHPK.
Autoritetet malazeze kishin bërë të ditur gjithashtu se, pas komunikimit me administratat doganore të vendeve fqinje, ishin konstatuar parregullsi të lidhura me këtë kompani edhe në Portin e Durrësit dhe se informacionet ishin shkëmbyer me administratat kompetente.
Për rastet ishte informuar edhe Organizata Botërore e Doganave.
Kompania “Apetit Sh.P.K.” ka reaguar lidhur me ngarkesat me mish të gjedhi të freskët me origjinë nga Brazili, të prodhuara gjatë muajit shkurt 2026, duke sqaruar se këto produkte nuk kanë hyrë në procedurë importi dhe nuk janë vendosur në treg në Kosovë.
Kompania “Apetit Sh.P.K.” ka reaguar lidhur me ngarkesat me mish të gjedhi të freskët me origjinë nga Brazili, të prodhuara gjatë muajit shkurt 2026, duke sqaruar se këto produkte nuk kanë hyrë në procedurë importi dhe nuk janë vendosur në treg në Kosovë.
Sipas komunikatës së kompanisë, ngarkesat kishin një afat të deklaruar prej 120 ditësh nga data e prodhimit dhe fillimisht ishte planifikuar që të mbërrinin në destinacion brenda rreth 45–50 ditësh.
Megjithatë, kompania thotë se, për shkak të problemeve të krijuara në transportin detar ndërkombëtar, përfshirë ngarkesat dhe vonesat në portet e transitit, afati fillestar nuk është respektuar.
“Apetit” thotë se pas mbërritjes në Portin e Barit në Mal të Zi, ngarkesat janë vendosur në magazina doganore shtetërore malazeze, nën mbikëqyrjen e autoriteteve kompetente.
Kompania pohon se gjatë kësaj periudhe ka pritur për përfundimin e procedurave të nevojshme për ri-eksportimin e ngarkesave, në përputhje me kërkesat dhe udhëzimet e prodhuesit.
Reagimi vjen pas deklaratës së AUV-it, lidhur me shqetësimet e ngritura mbi cilësinë e mishit. /Kujdestari.info/