Tender

Anulohet tenderi 3 milionësh i Ministrisë së Mbrojtjes: OSHP zbulon kritere që favorizonin ndërtuesit të caktuar

Nga Kujdestari Media

Një tender me vlerë mbi 3 milionë euro i Ministrisë së Mbrojtjes për ndërtimin e kuzhinave të reja në kazermat e FSK-së është rrëzuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), pas gjetjeve për mangësi serioze në dokumentacionin e tenderit dhe dyshime se mënyra e hartimit të kritereve kishte kufizuar konkurrencën, shkruan Kujdestari.info.

Bëhet fjalë për projektin “Ndërtimi i kuzhinave në Kazermat e FSK-së”, i ndarë në dy pjesë: ndërtimi i kuzhinave në Shirokë të Suharekës dhe në Aeroportin e Gjakovës, me vlerë të parashikuar prej 3 milionë e 60 mijë eurosh. OSHP ka vendosur që ankesa e operatorit ekonomik N.T.P. “CATERING” të aprovohet si pjesërisht e bazuar dhe ka urdhëruar anulimin në tërësi të procedurës së prokurimit. Sipas vendimit, Ministria e Mbrojtjes mund ta ritenderojë projektin nëse ka interesim.

Vendimi i OSHP-së nxjerr në pah disa probleme në mënyrën se si ishte përgatitur tenderi. Një nga çështjet kryesore ishte fakti se Ministria kishte bashkuar në një kontratë të vetme punët ndërtimore me furnizimin, instalimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve profesionale të kuzhinës.

Sipas OSHP-së, këto janë dy fusha me natyrë të ndryshme teknike dhe profesionale, të cilat zakonisht realizohen nga operatorë të specializuar në sektorë të ndryshëm. Bashkimi i tyre në një kontratë të vetme ka kufizuar pjesëmarrjen e kompanive që merren me pajisje profesionale të kuzhinave dhe ka favorizuar operatorët me profil ndërtimor.

Eksperti shqyrtues kishte konstatuar se kriteret e tenderit ishin ndërtuar pothuajse tërësisht sipas kapaciteteve që posedojnë kompanitë ndërtimore. Kërkoheshin përvoja në punë ndërtimore, staf profesional ndërtimor dhe pajisje ndërtimore, ndërsa për pajisjet e kuzhinës nuk kërkoheshin dëshmi për përvojë specifike, staf teknik, autorizime nga prodhuesit, kapacitete për instalim e servis apo certifikime të cilësisë.

OSHP ka vlerësuar se kjo krijonte një pabarazi të dukshme në garë, pasi kompanitë e specializuara për pajisje kuzhine nuk kishin mundësi të konkurronin në mënyrë të barabartë, ndërsa kompanitë ndërtimore mund ta fitonin kontratën dhe pjesën e pajisjeve ta realizonin përmes nënkontraktimit.

Një tjetër problem i evidentuar ishte mungesa e specifikimeve të plota teknike për pajisjet e kuzhinës. Derisa punët ndërtimore ishin përshkruar me hollësi, për pajisjet mungonin kërkesa të qarta për standardet minimale, cilësinë dhe karakteristikat funksionale, duke e bërë më të vështirë për operatorët përgatitjen e ofertave të krahasueshme.

Në dokumentacionin e tenderit, sipas OSHP-së, ishin përdorur edhe kode dhe modele që lidhen me një prodhues të caktuar. Eksperti kishte vlerësuar se një praktikë e tillë, pa specifikime neutrale, mund të kufizonte mundësinë e ofertimit të produkteve ekuivalente dhe të krijonte avantazh për operatorët që kishin qasje në ato produkte.

Pikë tjetër shqetësuese ishte edhe ngjashmëria e madhe e listës së pajisjeve me një tender të vitit 2019. Sipas ekspertit shqyrtues, kjo ngriti dyshime se dokumentacioni nuk ishte hartuar mbi bazën e një analize të re të nevojave për projektin aktual, por kishte ngjashmëri me dokumente të një procedure të mëhershme.

Në përfundim, Paneli Shqyrtues i OSHP-së konstatoi se mënyra e hartimit të tenderit kishte krijuar avantazh për operatorët ndërtimorë dhe kishte kufizuar pjesëmarrjen e kompanive të specializuara në furnizimin dhe instalimin e pajisjeve profesionale të kuzhinës. Për këtë arsye, procedura u anulua në tërësi. (DOKUMENT)

Ministria e Mbrojtjes e ka zbatuar vendimin e OSHP-së, duke e anuluar në tërësi procedurën e këtij tenderi. /Kujdestari.info/