Fermerët e vendit, tani në përmbyllje të mbledhjes së bereqetit të sivjetshëm, e kanë sfidë, njëherë përnjëherë të pakapërcyeshme, çmimin e sivjetshëm të grumbullimit të grurit prej 17-18 centësh, i cili nuk është real dhe ndjeshëm larg pritshmërive të fermerëve. “Vjet gruri ka shkuar deri në 27 centë për një kilogram, ndërsa nën 22-23 centë, as që është kujtuar ndonjëri nga mullinjtë të ofrojë për çmimin e grurit”, thonë fermerët.
Korrje-shirjet e grurit të sivjetshëm, që tashmë në disa vise të Kosovës po i afrohen përmbylljes, kanë shpërfaqë shqetësimin e madh të fermerëve të shumtë, kultivues tradicional të sipërfaqeve të mëdha të grurit, por edhe të bujqëve që kanë mbjellë sipërfaqe më të vogëla me këtë kulturë. Fermerët e vendit tani në përmbyllje të mbledhjes së bereqetit të sivjetshëm e kanë sfidë, një herë për një herë të pakapërcyeshme çmimin e sivjetshëm të grumbullimit të grurit prej 17-18 centësh, i cili, siç po duket, nuk është real dhe ndjeshëm larg pritshmërive të fermerëve.
“Nuk e di kush e ka caktuar këtë çmim, por ai është përçmues për fermerët dhe as përafërsisht nuk është i barazvlershëm me koston e prodhimit të një kilogrami të grurit. Realisht kemi pritur që çmimi i sivjetshëm të jetë mbi çmimin e vitit të kaluar, por na doli që të jetë shumë nën nivelin e çmimeve të 2024-tës”, ka thënë për Buletinin Ekonomik, SH.H, një fermer i përkushtuar në kultivimin e grurit dhe i cili sivjet ka të mbjella në disa parcela dhjetëra hektarë në arat e trevës së Llapit.
Sipas tij, kushdo qoftë që e ka caktuar këtë çmim është tallur me bujqit.
“Vjet gruri ka shkuar deri në 27 centë për një kilogram, ndërsa nën 22-23 centë, as që është kujtuar ndonjëri nga mullinjtë të ofrojë për çmimin e grurit”, thotë ai.
Nga Ministria e Bujqësisë nuk kanë kthyer përgjigje për Buletinin Ekonomik rreth interesimit se kush e ka përcaktuar këtë nivel çmimesh të grurit sivjet, a është ky çmim rrjedhojë e ofertës dhe kërkesës, apo thjesht ky çmim është në njëfarë mënyre “produkt” i anarkisë të theksueshme në vend për pasojë të ngërçit politik disa mujor.
“U gëzuam sivjet nga rendimentet imponuese, të cilat për secilin fermer ishin një satisfaksion real dhe pritnim realisht përmbyllje të mirë dhe të bereqetshme të korrje – shirjeve, por çmimi prej 17-18 centësh për një kilogram na përmbysi gjithçka. Na preu këmbët. Me këtë çmim nuk mund të arrihet as për së afërmi kostoja e prodhimit të një kilogrami grurë, edhe me kompenzimin që e bënë qeveria si subvencion për çdo hektar të mbjellë me këtë kulturë”, ndërhynë fqinji i Sh. H., që ka po kështu disa hektarë të mbjellë me grurë.
Me çmimet e sivjetshme të grurit zbehen shumë edhe rendimentet e sivjetshme të veçuara për rrethanat kosovare. Ka rajone në Kosovë që janë shënuar rendimente edhe 6 deri në 7 tonë për hektar. Ndërsa, sipas deklarimeve të Ministrisë së Bujqësisë së Kosovës, të bëra në ditët e para të procesit të korrje-shirjes së grurit, pritet që rendimenti të jetë i kënaqshëm dhe i përafërt me atë nga viti i kaluar që ishte prej 4,871 kilogramë për një hektar. Po sipas Ministrisë së Bujqësisë, “këtë vit sipërfaqja e mbjellë me grurë për të cilën kanë aplikuar fermerët, subvencioni që jep Ministria e Bujqësisë për një hektar të mbjellë me grurë, është gjithsejt 74,753.06 ha, ndërsa në vitin 2024 kanë qenë me grurë 53,627.26 hektarë.
Krahasuar me vitin e kaluar, sipas zyrtarëve, ka rritje të sipërfaqeve të mbjella me grurë për 21,125.80 hektarë. Por të gjitha këto shifra i ka zhvlerësuar tani për tani çmimi i ulët i grumbullimit të grurit. Madje, ky çmim ka krijuar dilema të mëdha te shumë prodhues të mëdhenj të grurit rreth dorëzimit të sasisë së sivjetshme në silloset e vendit.
“Do pres ditë më të mira. Ose, do të bëjë përpjekje për ta eksportuar grurin tim, diku ku paguhet më shumë. Gjithandej nëpër Kosovë po gëlojnë sekserët e gatshëm për të gjetur importues serioz të grurit”, thotë një prodhues i madh i kësaj kulture bujqësore nga Rrafshi i Kosovës, i cili do të mbetet anonim.
Tani, mullinjtë tanë janë në gjendje të na “shantazhojnë me çmimin”, por kur të mbeten pa rezerva të grurit, do ta paguajnë shumë më shumë importin nga Serbia, Maqedonia e Veriut, apo Turqia dhe do të bëhet çështje sigurimi i këtij importi. Në anën tjetër, ekspertë të shumtë dhe njohës të ecurive të tregut të produkteve bujqësore në Kosovë, kanë vërejtje të panumërta kundrejt mullinjëve për çmimin e sivjetshëm të grurit. Ata e vlerësojnë këtë çmim duke e krahasuar jo vetëm me çmimin e vjetshëm, por edhe në raport me çmimin e bukës dhe të produkteve të tjera të prodhuara nga mielli – si anomali ekstreme e tregut të grurit në Kosovë.
“Nuk shpjegohet ndryshe, pos si anomali e tejskajshme e tregut : Është e çuditshme: kur gruri ishte 27 centë (më 2025), buka kushtonte 35 centë, ose shumë-shumë 40 centë. Tash çmimi i grurit është 18 centë, ndërkohë që çmimi Iibukës ka shkuar në 60 cent e përtej”, shpjegojnë njohësit e tregut të produkteve bujqësore. Dhe ekspertët, por edhe fermerët e zhgënjyer, vazhdojnë t’u bëjnë thirrje institucioneve që të ndërhyjnë për të garantuar një çmim të drejtë për grurin, në përputhje me koston e prodhimit dhe çmimin e bukës në treg. Njëkohësisht, me të drejtë kërkojnë mbështetje të qëndrueshme dhe mekanizma të mbrojtjes së prodhimit vendor, në mënyrë që të motivohen që të vazhdojnë kultivimin e tokës. Sipas ekspertëve, nëse vazhdojnë këto anomali të tregut, shumë shpejtë mullinjtë e vendit do të përballen me kriza, të shkaktuara nga mungesa e rezervave të grurit. Nujk do të ketë grurë për nevojat e mullinjve, edhe nëse do të ketë çmime shumë më të favorshme të grurit. Anomali tjetër e tregut të produkteve bujqësore në vend vlerësohet të jetë edhe e dhëna se çmimi I grurit ka rënë sivjet ndjeshëm, ndërkohë që çmimi I ngritur I miellit dhe të bukës ka mbetur I njejtë. Furrëtarët arsyetohen për mosulje të çmimit të bukës me çmimin e ngritur të energjisë elektrike dhe të mungesës së fuqisë punëtore që ka kushtëzuar, rritje të pagave të punëtorëve, ndërkohë kosovarët e varfër dhe me fuqi të diskutueshme blerëse vazhdojnë të ankohen në çmime enorme të larta të bukës. /Buletini Ekonomik