Në fund të mandatit të tij, kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka nënshkruar një kontratë milionëshe për ndërtimin e tregut të gjelbërt dhe parkingut nëntokësor, projekt që pritet të zgjasë tri vjet deri në përfundim, shkruan Kujdestari.info.
Kontrata u nënshkrua vetëm pak muaj para zgjedhjeve lokale, ku Totaj synon edhe një mandat tjetër, ndërkohë që gara mbetet e hapur me disa kandidatë.
Por rruga e këtij tenderi nuk ka qenë aspak e qetë. Një nga operatorët konkurrues, e kishte zvarritur procesin përmes ankesave dhe kundërshtimeve, duke e dërguar rastin deri në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP). OSHP kishte angazhuar ekspert për të shqyrtuar provat, por vetëm pak ditë para daljes së raportit, kompania e tërhoqi papritur ankesën, duke lënë të pasqaruara të gjitha pretendimet.
Në fillim të kësaj jave, kryetari Totaj ka nënshkruar kontratën prej 1 milion e 267 mijë e 540 euro me kompanitë GOE; G-PROJECT; FRONI I SH.P.K, për ndërtimin e tregut të gjelbërt dhe parkingut nëntokësor në Prizren, projekt trevjeqar.
Në këtë tender, kishin aplikuar dy konzorciume të kompanive, Grupi i Operatorëve Ekonomik “G-PROJECT; FRONI I SH.P.K”, dhe Grupi i Operatorëve Ekonomik “ARCHITIME SH.P.K, Pro & Co Group Sh.p.k”, ku kjo e fundit kishte ofruar çmim më të lirë, 1 milion e 175 mijë e 555 euro, por ishte eliminuar nga gara për shkak se, sipas Autoritetit Kontraktues, nuk i kishte plotësuar standardet e kërkuara në Dosje të Tenderit.
Komisioni vlerësues në vendimin për eliminimin e këtij Grupi të Operatove Ekonomik, kishte thënë se një ndër standardet e vlerësimit që nuk i ka përmbushuar ka qenë edhe prezantimi i dy teknikëve llamarin punues, ku njëri nga ta duhet të jetë i licencuar.
“Dy (2) teknik llamarin punues se paku njeri prej tyre te jete i certifikuar apo licencuar per pune ndertimore nga institucionet shtetrore. CV-ia, diploma, kontrata e punes ose ne rast të marrëveshjes së bashkëpunimi për kete projekt. GOE ka prezatuar dy kontrata per dy persona mirëpo certifikatat e tyre nuk tregojnë se janë te diplomuar per teknike llamarin punues”, thuhet pikën 3.7 në vendimin e Autoritetit Kontraktues.
Mirëpo, ARCHITIME SH.P.K, Pro & Co Group Sh.p.k, ishte ankuar për pretendimet e Autoritetit Kontraktues, duke e akuzuar atë se gjatë procesit të vlerësimit ka përdorur standarde që nuk janë kërkuar në Dosjen e Tenderit fillestar.
“Në Dosjen Standarde të Tenderit (DST), është specifikuar: Kërkohen dy (2) teknikë llamarin punues, prej të cilëve së paku njëri të jetë i certifikuar apo i licencuar për punë ndërtimore nga institucionet shtetërore. Në përputhje me këtë kërkesë: Ne kemi prezantuar dy kontrata pune për dy punonjës të cilët në përshkrimin e kontratës janë të punësuar si teknikë llamarin punues. Së paku njëri prej tyre është i certifikuar nga institucion shtetëror për punë ndërtimore, siç është kërkuar saktësisht në DST. DST nuk ka kërkuar diploma apo certifikata specifike për “teknik llamarin punues”, por vetëm certifikim për punë ndërtimore nga institucion shtetëror, gjë që është përmbushur”, thuhet në ankesën e Grupit të Operatorëve Ekonomik që ishin eliminuar.
Por, dy ekspertët e certifikuar kishin reaguar duke mohuar se e kanë dhënë pëlqimin tek kompania ARCHITIME SH.P.K.
lbrahim Lekaj, lnxhinier i diplomuar i Ndertimtarisë, përmes një emaili, kishte mohuar se i ka thënë pëlqimin kësaj kompanie me përfaqësues Dashnor Ndrecaj, që ta përdorte emrin e tij në këtë tender.
“Asnjë dokument profesional apo personal, përfshirë diplomën, CV-në, certifikatat apo dëshmitë e përvojes sime të punës, nuk është i autorizuar për t’u perdorur nga subjekti ekonomik: ARCHI TIME 5H.P.K., me numer biznesi 810200212, në pronësi te z. Dashnor Ndrecaj. Theksoj se ky operator ekonomik ka përdorur dokumentacionin tim pa eutorizimin tim, çka përbën shkelje të rëndë të të drejtave të mia personale dhe profesionale”, kishte thënë Lekaj.
Ankesën e kompanisë e kishte hedhur poshtë Komuna. Më pas, kompania Architime ishte ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), duke paraqitur të gjitha pretendimet e saj. OSHP kishte autorizuar ekspertin e vet për t’i shqyrtuar provat. Mirëpo, vetëm pak ditë para se eksperti të dilte me raportin përfundimtar, kompania e kishte tërhequr ankesën. Si pasojë, pretendimet e ankuesit nuk janë shqyrtuar fare.
Pas tërheqjes së ankesës, Paneli i OSHP-së menjëherë kishte nxjerrë vendim që të lihej në fuqi vendimi i Komunës për dhënien e kontratës. Mënyra se si u tërhoq ankesa lë shumë dyshime.
Më pas Autoriteti Kontraktues, kishte vazhduar sërish aktivitetin e prokurorimit duke e shpallur fitues kompaninë që kishte dalë e përgjegjshme. /Kujdestari.info