Demokraci Plus (D+) ka publikuar analizën “Prokurimi i Përgjegjshëm Gjinor në Kosovë: Sfidat dhe Mundësitë për Zbatim Efektiv”, e cila vlerëson se, pavarësisht kornizës ligjore ekzistuese dhe angazhimeve strategjike për barazi gjinore, integrimi i perspektivës gjinore në prokurim publik mbetet i kufizuar në praktikë.
Analiza evidenton se qasja neutrale gjinore në prokurim publik ka prodhuar pabarazi substanciale, ku vetëm një përqindje shumë e vogël e kontratave publike u jepet bizneseve në pronësi të grave. Një nga pengesat kryesore mbetet mungesa e të dhënave të ndara sipas gjinisë e cila pamundëson politika të bazuara në evidencë dhe monitorim efektiv të ndikimit.
“Raporti statistikor më gjithëpërfshirës në fushën e prokurimit publik, është Raporti Vjetor i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), raport i cili i dorëzohet Kuvendit të Kosovës, por që nuk përmban asnjë tregues gjinor. Për shembull, raporti për vitin 2024, i cili evidenton se në Kosovë janë lidhur 10,012 kontrata publike në vlerë prej 941.7 milionë euro, analizon llojet e procedurave dhe numrin mesatar të ofertueseve, nuk ofron asnjë informacion se sa prej këtyre kontratave u fituan nga bizneset në pronësi të grave. Në raport nuk përfshihet as ndarja gjinore për 18,100 bizneset aktive të regjistruara në platformën elektronike e-prokurimi”, thuhet në analizën e D+.
D+ duke u bazuar në Ligjin për Barazi Gjinore dhe Ligjin për Prokurimin Publik, thekson se ekzistojnë hapësira të mjaftueshme ligjore për zbatimin e Prokurimit të Përgjegjshëm Gjinor, përmes masave afirmative, kushteve sociale dhe mekanizmave të qartë monitorimi.
Në këtë kontekst, D+ u bën thirrje autoriteteve kontraktuese dhe institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin hapa konkretë drejt integrimit të kushteve gjinore në kontratat publike, forcimit të kapaciteteve institucionale dhe përmirësimit të raportimit përmes treguesve gjinorë.
Analiza e plotë ofron rekomandime konkrete dhe është e qasshme për publikun duke klikuar KËTU.