E premte, 19 Dhjetor, 2025

Aksioni kundër korrupsionit, Policia jep detaje për arrestimet në flagrancë teksa po shkëmbenin 9 mijë e 900 euro

Ndaj

Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), pas hetimeve të zhvilluara me autorizim të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), ka arrestuar shtatë persona të dyshuar për përfshirje në vepra të rënda penale që ndërlidhen me korrupsionin.

Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 17:40, policia ka kapur në flagrancë tre nga të dyshuarit teksa po shkëmbenin shumën prej 9,900 eurosh, e cila dyshohet të ketë qenë pjesë e një marrëveshjeje për ndarjen e ryshfetit, përcjell Telegrafi.

Në koordinim me Prokurorinë Speciale, njësitet policore kanë realizuar kontrolle në pesë lokacione të ndryshme. Gjatë këtyre kontrolleve janë sekuestruar para të gatshme, tri vetura, gjashtë telefona mobil, një laptop dhe dëshmi të tjera relevante për rastin. Po ashtu, në njërin nga lokacionet janë gjetur armë dhe municion.

Hetimet po vazhdojnë nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, marrje dhe dhënie ryshfeti, ushtrim të ndikimit, deklarim të rremë dhe mashtrim.

Lexo më shumë

Të tjera