Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se, në koordinim me Policinë e Kosovës, është realizuar një aksion kundër nxjerrjes ilegale të thëngjillit në disa fshatra të komunës së Vushtrri.
Sipas prokurorisë, aksioni është zhvilluar në fshatrat Bivolak, Zhilivodë dhe Stroc, pas dyshimeve për aktivitet të paligjshëm të nxjerrjes së thëngjillit në këto lokacione.
Gjatë operacionit janë arrestuar gjashtë persona, të cilët do të intervistohen nga policia nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit” dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.
Po ashtu, gjatë aksionit janë sekuestruar tre eskavatorë, gjashtë kamioneta dhe një traktor, të cilat dyshohet se janë përdorur për realizimin e këtyre veprave penale.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e veprave penale që dëmtojnë mjedisin dhe se do të vazhdojë me vendosmëri ndjekjen penale ndaj të gjithë atyre që shkaktojnë dëme ndaj natyrës dhe pasurisë së përbashkët.