Ministria e Mbrojtjes ka dhënë tender prej 717 mijë e 520 euro për bileta të aeroplanit për nevoja të këtij dikasteri, shkruan Kujdestari.info.
Ministria e drejtuar nga Ejup Maqedonci, ka paraparë që për tri vitet e ardhshme t’i shpenzojë plot 777 mijë euro për bileta të udhëtimit.

Sipas dosjes se tenderit, Ministria e Mbrojtjes, ka kërkuar 2050 bileta avioni në tri vitet e ardhshme, me çmim prej 350 euro një biletë.
Megjithatë, sipas përshkrimit të Autoritetit Kontraktues, çmimi prej 350 euro për një biletë nuk është real, por është i paragjykuar që shërben vetëm për nevojat e tenderit dhe nuk përcakton vlerën reale të kontratës. 
Sikurse edhe në shumë dikastere tjera, edhe këtë tender të Ministrisë së Mbrojtjes, e ka fituar As Travel Club, ndonëse edhe ofertuesi tjetër Prime Tours & Travel, e kishte çmimin identik, prej 717 mijë e 520 euro e 50 cent. 
Por, sipas autoritetit kontraktues, kur ofertat janë identike në çmim dhe operatorët janë të përgjegjshëm, atëherë nuk vlen votimi i komisionit vlerësues, por merret për bazë cili operator ekonomik e ka dorëzuar ofertën i pari. /Kujdestari.info