Ekonomia

Agjencia synon 20 punëtorë të rinj me kosto mbi 522 mijë euro- Ministria e Financave paralajmërojnë se paratë nuk janë planifikuar

Nga Kujdestari Media

Agjencia për Inovacion dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve po synon zgjerimin e numrit të të punësuarve, por ndryshimet e planifikuara pritet t’i sjellin buxhetit të shtetit një kosto shtesë prej mbi gjysmë milioni eurosh, shkruan Kujdestari.info.

Kjo del nga opinioni i Departamentit të Buxhetit të Ministrisë së Financave për Projekt Rregulloren për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në këtë agjenci, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit. (DOKUMENT)

Sipas dokumentit të datës 31 gusht 2026, struktura e propozuar parasheh që Agjencia të ketë 48 punëtorë, ndërsa me ndarjet ekzistuese buxhetore janë të planifikuar vetëm 28 punëtorë. Kjo nënkupton shtimin e 20 pozitave të reja.

522 mijë euro vetëm kosto shtesë për paga

Për këto 20 vende të reja të punës, Ministria e Financave ka përllogaritur një kosto shtesë prej 522,451 eurosh për periudhën 2026–2028.

Sipas tabelës së paraqitur në dokument, kostoja shtesë për paga dhe shtesa është 36 mijë euro për vitin 2026, 237,293 euro për vitin 2027 dhe 249,158 euro për vitin 2028.

Problemi që evidenton Departamenti i Buxhetit është se këto para nuk janë të planifikuara në buxhetin ekzistues.

“Kostoja shtesë nuk është planifikuar me ndarjet buxhetore sipas Ligjit […] mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026 dhe vlerësimet 2027-2028”, thuhet në opinionin e Ministrisë së Financave.

Agjencia ka pesë pozita të lira

Në dokument bëhet e ditur gjithashtu se, bazuar në raportin e pagave për muajin korrik 2026, Agjencia aktualisht ka pesë pozita të lira.

Departamenti i Buxhetit rikujton se institucionet buxhetore duhet t’u përmbahen kufizimeve të Ligjit të Buxhetit.

Sipas dispozitës së cituar në dokument, një iniciativë e re që krijon shpenzime dhe për të cilën nuk ekzistojnë ndarje buxhetore nuk do të marrë financim, përveç nëse bëhen shkurtime përkatëse në ndarje të tjera buxhetore në të njëjtën vlerë.

Kjo do të thotë se realizimi i strukturës së re me 48 punëtorë nuk mund të mbështetet automatikisht nga buxheti aktual, pa u siguruar paraprakisht mbulimi financiar.

Krejt struktura, mbi 63 milionë euro për tri vjet

Dokumenti jep edhe një pasqyrë më të gjerë financiare. Kostoja totale e projekt-rregullores për periudhën 2026-2028 llogaritet në 63,310,201 euro.

Megjithatë, pjesa dërrmuese e kësaj shume nuk lidhet me pagat. Në të përfshihen rreth 24.74 milionë euro subvencione dhe transfere dhe 35.71 milionë euro investime kapitale, si dhe mallra, shërbime dhe paga.

Me buxhetin tashmë të planifikuar për Agjencinë për të njëjtën periudhë parashihen gjithsej 62,787,750 euro. Diferenca mes dy shumave është pikërisht kostoja shtesë prej 522,451 eurosh, që vjen nga shtimi i 20 vendeve të punës.

Projekt-rregullorja, sipas dokumentit, ka marrë miratimin paraprak nga Ministria e Punëve të Brendshme për aspektin e organizimit të administratës. Megjithatë, opinioni financiar e vë në pah pengesën kryesore,  20 pozitat e reja krijojnë obligim financiar që aktualisht nuk është i mbuluar me ndarje buxhetore. /Kujdestari.info/