Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) duket se ka hyrë në krizë serioze për nëpunës.
Për të mbuluar boshllëqet, ajo ka hapur tender për angazhimin e 20 konsulentëve individualë, që do të shërbejnë si “ekspertë të sigurisë ushqimore” në kuadër të Drejtorisë së Inspektoratit, shkruan Kujdestari.info.

Në fakt, bëhet fjalë për kontraktorë të jashtëm, që sipas planit të Agjencisë, do të shpërndahen në të gjitha rajonet e Kosovës:
-
Prishtinë – 4 ekspertë
-
Gjilan – 2 ekspertë
-
Ferizaj – 3 ekspertë
-
Prizren – 4 ekspertë
-
Pejë – 4 ekspertë
-
Mitrovicë – 3 ekspertë
Kontratat do të kenë një kohëzgjatje prej 36 muajsh, ndërsa vlera e përgjithshme e tenderit është parashikuar në 518 mijë e 400 euro.


Kjo nënkupton se një ekspert i angazhuar do të kushtojë mesatarisht 25 mijë e 920 euro për tre vite, ose afërsisht 720 euro në muaj. Jo ndonjë pasuri marramendëse, por mjaftueshëm që të kuptohet se Agjencia po përpiqet të arnojë një sistem që duket se po i rrëshqet nga duart.
Ky hap i AUV-së ngre shetësime serioze se pse institucionit më të rëndësishëm për sigurinë ushqimore në vend po i mungon stafi i brendshëm? Dhe a do të jenë konsulentët e jashtëm zgjidhja afatgjatë, apo vetëm një “plaster” i përkohshëm mbi një plagë që po hapet gjithnjë e më shumë?
Institucionet publike të Kosovës janë duke kontraktuar persona fizikë nëpërmjet procedurave të Ligjit të Prokurimit Publik, duke shkelur ligjin.
Muajve të fundit është rritur kërkesa e institucioneve për të punësuar njerëz, kryesisht nga ministritë. Këto punësime po bëhen në emër të kërkesës për ekspertë apo konsulentë. Kujdestari.info ka konstatuar se punësimet e tilla nëpërmjet procedurave të prokurimit publik bien ndesh me këtë ligj dhe po përdoren për të rehatuar militantët partiakë.
Këto përgjegjësi tregojnë se këto pozita tw AUV nuk janë për konsulencë, por për punë të rregullta, të cilat duhet të kryhen nga një shërbyes civil.
Legjislacioni sekondar i LPP-së, konkretisht Rregullorja nr. 001/2022 për Prokurimin Publik, përcakton procedurat për prokurimin e shërbimeve të veçanta, veçanërisht në nenin 57 të kësaj rregulloreje.
Neni 57.3 thotë: “Shërbimet e veçanta që nuk mund të sigurohen përmes procedurave të rekrutimit janë shërbime profesionale për të cilat Autoriteti Kontraktues ka nevojë, por që nuk mund të plotësohen nga stafi ekzistues”.
Këto punësime, të cilat në dukje janë për ekspertizë apo konsulencë, po përdoren në vazhdimësi për të rehatuar militantë partiakë, duke shmangur procedurat e rregullta të rekrutimit dhe duke krijuar një precedent të rrezikshëm për transparencën dhe ligjshmërinë në institucionet publike. /Kujdestari.info/