Ekonomia

Afro 700 tonë farë gruri nga Serbia hynë në Kosovë- vendoset tarifa antidamping

Nga Kujdestari Media

Kosova ka vendosur masë të përkohshme antidamping ndaj importit të farës së grurit për mbjellje me origjinë nga Serbia, ndërsa të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se gjatë tetë muajve të parë të këtij viti nga ky shtet është importuar një sasi e konsiderueshme e këtij produkti, shkruan Kujdestari.info.

Sipas të dhënave të Doganës për periudhën janar-gusht 2026, të analizuara nga Kujdestari.info, nga Serbia janë importuar 695,500 kilogramë, apo 695.5 tonë farë gruri për mbjellje, me vlerë të deklaruar prej 306,473 eurosh.

Nga raporti ndërmjet vlerës dhe sasisë së deklaruar rezulton një vlerë mesatare importi prej rreth 0.44 euro për kilogram.

Pikërisht importi i këtij produkti nga Serbia është bërë objekt i masave të reja të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit.

Ministrja në detyrë, Mimoza Kusari-Lila, ka bërë të ditur se ka nënshkruar vendimin për vendosjen e një detyrimi të përkohshëm antidamping prej 0.04 euro për kilogram ndaj farës së grurit për mbjellje me origjinë nga Serbia.

Nëse kjo tarifë aplikohet mbi një sasi sa ajo e evidentuar prej 695,500 kilogramësh, detyrimi shtesë do të ishte rreth 27,820 euro.

Sipas Kusari-Lilës, vendimi është marrë pas hetimit të zhvilluar nga Ministria dhe gjetjeve paraprake se ky produkt po importohet me çmime damping, duke dëmtuar prodhuesit vendorë.

Hetimi për farën e grurit nga Serbia ishte nisur më 4 qershor, pas ankesave të prodhuesve vendorë. Në atë kohë, Ministria kishte bërë të ditur se analiza preliminare mbështetej, ndër të tjera, në të dhënat e Doganës së Kosovës, kapacitetet prodhuese dhe nevojat e tregut, si dhe në çmimet e shitjes në tregun e Serbisë.

Kusari-Lila kishte deklaruar gjatë nisjes së hetimit se kishte indikacione që fara e grurit nga Serbia po hynte në Kosovë me çmime damping dhe në sasi të konsiderueshme, duke pretenduar se kjo po i shkaktonte dëm material industrisë vendore.

Tash, pas procesit të hetimit, Kusari-Lila thotë se është vendosur masa e përkohshme prej katër centësh për çdo kilogram të importuar.

“Prodhuesi vendor nuk do të lihet i pambrojtur përballë konkurrencës së pandershme”, ka deklaruar Kusari-Lila.

Sipas saj, tregu duhet të mbetet i hapur, por njëkohësisht të sigurojë konkurrencë të drejtë, duke paralajmëruar përdorimin e instrumenteve ligjore për mbrojtjen e prodhimit vendor dhe interesit ekonomik të Kosovës. /Kujdestari.info/