Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas deklaratës së kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i cili akuzoi LDK-në për pozicion bllokues në krijimin e një qeverie të opozitës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Abdixhiku theksoi se qëndrimi i LDK-së është i qartë dhe nuk do të ndryshojë pavarësisht presioneve politike.
Ai u shpreh se partia e tij po vepron në përputhje me vullnetin e votuesve dhe me një qasje realiste ndaj situatës politike në vend.
“Sonte në Gjakovë, për kafe të vonshme. Mes njerëzve të mbarë, mes mbështetësve tanë e mes bashkëqytetarëve gjakovarë. I falënderova për mbështetjen e dhënë. Turneu i falënderimit vazhdon. U fola, i dëgjova, i sigurova për rrugëtimin tonë,” shkroi Abdixhiku.
Ai iu kundërpërgjigj kritikëve, duke thënë se LDK nuk do të ndryshojë qëndrimin e saj dhe se presioni vetëm sa e forcon partinë.
“Ndoshta dhe janë mësuar që kjo LDK t’ua bëjë politikën për qejf. Ndoshta dhe janë mësuar se me presion të tillë LDK liget e eventualisht dhe bie. Ky presion veç po na forcon,” theksoi ai.
Kryetari i LDK-së la të kuptohet se vendimmarrja e partisë do të vijojë të bazohet në interesat e saj dhe të Kosovës, duke nënvizuar se politika e vjetër ndaj LDK-së është e “vdekur tashmë” dhe nuk do të rikthehet më.