Patatja mbetet kultura perimtare më e kultivuar në Kosovë, si për nga sipërfaqja ashtu edhe për nga prodhimi. Sipas të dhënave zyrtare të MBPZhR-së, gjatë vitit 2023 në Kosovë janë mbjellë 3,918 hektarë me patate, që përbëjnë 20% të gjithë sipërfaqes së mbjellë me perime në vend, duke e bërë pataten kulturën dominuese në sektorin e perimtarisë, shkruan Kujdestari.info.
Në vitin 2023, prodhimi i patates në Kosovë ka arritur në 75,639 tonë, me një rritje të lehtë prej 0.2% krahasuar me vitin 2022. Patatja përbën 26.3% të gjithë prodhimit vendor të perimeve, duke konfirmuar rëndësinë e saj strategjike për ushqimin dhe ekonominë rurale. (Dokument)
Rendimenti mesatar i patates për periudhën 2021-2023 ka qenë 19.3 tonë për hektar, ndërsa në vitin 2023 është shënuar një rënie e lehtë e rendimentit prej 0.7%, kryesisht si pasojë e kushteve klimatike jo të favorshme
Importi: patatja vazhdon të hyjë masivisht nga jashtë
Pavarësisht prodhimit të konsiderueshëm vendor, Kosova vazhdon të importojë sasi të mëdha patate. Vetëm në vitin 2023 janë importuar 8.48 milionë kilogramë patate, me vlerë mbi 1.43 milionë euro, duke e renditur pataten ndër kulturat më të importuara në sektorin e perimeve
Importi realizohet pothuajse gjatë gjithë vitit, çka tregon se tregu vendor nuk mbulohet plotësisht nga prodhimi vendas, veçanërisht jashtë sezonit të vjeljes.
Eksporti: rritje, por ende i kufizuar
Eksporti i patates ka shënuar rritje të ndjeshme në tri vitet e fundit. Në vitin 2023, Kosova ka eksportuar 8.48 milionë kg patate, me vlerë 1.44 milionë euro, duke e renditur pataten ndër 5 kulturat më të eksportuara të perimeve
Megjithatë, eksporti realizohet kryesisht menjëherë pas vjeljes, për shkak të kapaciteteve të kufizuara të ruajtjes, çka e detyron fermerin ta shesë prodhimin shpejt, shpesh me çmime jo optimale.
Shifrat zyrtare tregojnë qartë se patatja është kultura më e mbjellë në Kosovë, prodhimi vendor është i qëndrueshëm dhe se importi mbetet i lartë, ndërkohë tregu ka nevojë të vazhdueshme për patate.
Kjo do të thotë se çdo fermer që ka tokë dhe qasje në mekanizëm bazë, ruajtje ose organizim tregu, ka potencial real për përfitim nga mbjellja e patates. Sfida kryesore mbetet ruajtja pas vjeljes dhe planifikimi i daljes në treg, jo mungesa e kërkesës. /Kujdestari.info/