Në janar të vitit 2026, Komuna e Vushtrrisë i është drejtuar AQP-së me një pyetje të drejtpërdrejtë: a mund të përfitojë nga kontratat kornizë për blerjen apo marrjen me qira të veturave? AQP, si bartëse e procedurave të centralizuara, në komunikimin e datës 15 janar 2026 është përgjigjur se lista e artikujve me përdorim të përbashkët për vitin 2026 ende nuk ishte aprovuar dhe se, pas aprovimit të saj, do të fillonte procesi i mbledhjes së të dhënave, për të cilin Komuna do të njoftohej. AQP-ja ka specifikuar se kjo vlen edhe për kontratat për furnizim dhe marrje me qira të veturave.
Pavarësisht këtij njoftimi, Komuna e Vushtrrisë ka proceduar me inicimin e prokurimit para se të përfundonte procesi i përcaktimit të artikujve me përdorim të përbashkët.
Më 18 mars 2026, Komuna e Vushtrrisë inicion procedurën për blerjen e veturave, të destinuara për përdorim nga Zyra e Kryetarit dhe katër drejtorive komunale. Ndërsa, vetëm nëntë ditë më vonë, më 27 mars 2026, me Vendimin nr.05/06 të Kryeministrit është aprovuar lista e artikujve me përdorim të përbashkët për vitin 2026.
Sipas kësaj liste, blerja e veturave përfshihet në prokurimet e centralizuara që udhëhiqen nga AQP-ja, në përputhje me nenin 95 të LPP-së. Kjo nuk paraqet një praktikë të re në vitin 2026, pasi blerja e veturave ka qenë pjesë e listës së artikujve me përdorim të përbashkët dhe e prokurimeve të centralizuara edhe gjatë vitit 2025, raporton D+
Si e arsyeton Komuna anashkalimin e AQP-së?
Komuna e Vushtrrisë e mbron vendimin për ta zhvilluar procedurën e blerjes së veturave, pa e kaluar përmes AQP-së përmes tri përgjigjeve me shkrim të dërguara me 2 tetor: (i) blerja e veturave nuk është procedurë e centralizuar, (ii) AQP nuk e ka nisur procedurën për qira dhe (iii) blerja është më e leverdishme financiarisht.
Në argumentin e parë, sipas pretendimeve të komunës blerja e veturave nuk figuron në listën e detyrueshme të artikujve të centralizuar për vitin 2026. Sipas saj, kjo listë përfshin karburantin, gomat, mirëmbajtjen dhe letrën, dhe jo blerja e veturave. Komuna shton se është në listën e AQP-së vetëm për marrjen me qira të gjashtë automjeteve dhe se, në momentin e inicimit, nuk ka ekzistuar kontratë aktive kornizë për blerje. Prandaj, ka zhvilluar vetë procedurën e hapur, në përputhje me LPP-në, dhe nuk i është drejtuar AQP-së me kërkesë specifike, pasi sipas rregullores kjo nuk ka qenë e nevojshme.
“Procedura e blerjes së veturave me vlerë nën 1,000,000 € apo pragun aktual të centralizuar nuk është e listuar si procedurë e detyrueshme e centralizuar sipas Vendimit të Qeverisë për listën e artikujve të përbashkët të AQP-së për vitin 2026”, thuhet në përgjigjen e Komunës.
Megjithatë, ndryshe nga përgjigjet e Komunës, furnizimi me vetura figuron në listën e artikujve dhe shërbimeve për prokurim të përbashkët për vitin 2026, siç dëshmohet edhe në rreshtin e tretë të tabelës në vijim.
| Artikujt dhe shërbimet që janë pjesë e prokurimeve të përbashkëta | |||
| Nr. | Përshkrimi i artikullit | Lloji i kontratës | Kohëzgjatja |
| 1. | Furnizim me letër për kopje | Kontratë kornizë | 2 vite |
| 2. | Furnizim me material zyrtar | Marrëveshje kornizë | 3 vite |
| 3 | Furnizim me vetura | Kontratë kornizë | 1 vit |
| 4. | Furnizim me artikuj ushqimor | Kontratë kornizë | 2 vite |
| 5. | Furnizim me mobilie | Marrëveshje kornizë | 3 vite |
| 6. | Furnizim me pajisje të teknologjisë informative | Marrëveshje kornizë | 3 vite |
| 7. | Furnizim me pemë dhe perime | Marrëveshje kornizë | 3 vite |
| 8. | Vetura me qira | Kontratë publike afatgjatë | 5 vite |
| 9. | Furnizim me karburante | Kontratë kornizë | 1 vit |
| 10. | Furnizim me mazut | Kontratë kornizë | 2 vite |
| 11. | Furnizim me ujë të pijës | Kontratë kornizë | 3 vite |
Tabela 1. Lista e prokurimeve të centralizuara për vitin 2026.
Në argumentin e dytë, Komuna e Vushtrrisë thotë se ka analizuar mundësinë e shfrytëzimit të kontratës kornizë të AQP-së për “Furnizim me vetura me qira (Rent-a-Car)”. Megjithëse ky shërbim është përcaktuar si i centralizuar me Vendim të Qeverisë dhe AQP-ja ka mbledhur nevojat e institucioneve, Komuna e Vushtrrisë e cilëson si “fakt për keqardhje” mosinicimin ende të procedurës nga AQP-ja. Duke u thirrur në mungesën e automjeteve për kryerjen e punëve zyrtare dhe ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve, Komuna e Vushtrrisë arsyeton vendimin për blerjen e veturave me nenin 6 të Rregullores 001/2022 për Prokurime të Centralizuara. Sipas komunës, kjo dispozitë i mundëson autoritetit kontraktues të zhvillojë procedurë të veçantë në rastet kur arsyetohet mospërshtatshmëria e kontratës qendrore.
Mirëpo, një dispozitë e tillë ligjore nuk figuron as në Rregulloren 002/2024 për Prokurimin Publik dhe as në Udhëzimin Administrativ 06/2018 për Zbatimin e Procedurave Qendrore të Prokurimit Publik. Për këtë arsye, mbetet e paqartë se në cilën bazë ligjore mbështetet Komuna e Vushtrrisë për këtë interpretim, apo nëse bëhet fjalë për një qëndrim të vetë Komunës të përdorur për të justifikuar zhvillimin e një procedure jashtë mekanizmit të prokurimit të centralizuar.
Në argumentin e tretë, Komuna e Vushtrrisë paraqet një analizë të thjeshtuar krahasuese si në vijim: qiraja përmes AQP-së për një veturë të klasës së mesme kushton rreth 650 deri në 750 euro në muaj, pra 31,200 deri në 36,000 euro pa TVSH për 48 muaj, pa pronësi mbi automjetin. Ndërsa, blerja sipas kontratës së komunës, për shembull, kushton 22,500 euro, me pronësi të plotë dhe me mirëmbajtje pesëvjeçare të përfshirë në garanci.
Megjithatë, pretendimet e Komunës nuk përputhen me kushtet e kontratës së AQP-së për marrjen me qira të automjeteve. Sipas kontratës me numër protokolli 16/25, të datës 4 janar 2025, të lidhur ndërmjet AQP-së dhe operatorit ekonomik, vlera më e lartë mujore e kontraktuar për një automjet është 400 euro, ndërsa kohëzgjatja e kontratës është 60 muaj, e jo 48 muaj siç paraqet Komuna. Këto të dhëna janë konfirmuar edhe gjatë takimit me përfaqësues të AQP-së. Rrjedhimisht, analiza krahasuese e paraqitur nga Komuna mbështetet në vlera dhe kohëzgjatje që nuk përputhen me kushtet reale të kontratës së nënshkruar nga AQP-ja.
Të gjitha këto arsyetime nuk e justifikojnë veprimin e Komunës, përderisa neni 95, paragrafi 3 i LPP-së përcakton qartë se autoriteti kontraktues i porosit AQP-së mallrat, punët ose shërbimet që prokurohen nga ajo dhe, për këta artikuj, nuk zhvillon asnjë aktivitet të pavarur prokurimi. Ligji shkon edhe më tej, duke përcaktuar se çdo kontratë e lidhur në kundërshtim me këtë dispozitë deklarohet e pavlefshme.
Në këtë kuptim, për artikujt e përfshirë në listën e prokurimeve të përbashkëta, procedura e prokurimit duhet të zhvillohet nga AQP-ja dhe jo në mënyrë të pavarur nga autoriteti kontraktues.
Një ofertues, një fitues dhe një zinxhir shkeljesh për dy vetura
Procedura për blerjen e veturës për Kryetarin dhe drejtoritë komunale përfundoi me një ofertues: Baki Automobile, i cili edhe u shpall fitues. Por, ky rezultat lidhet me mënyrën se si Komuna i kishte hartuar specifikimet teknike që në fillim të procedurës.
Në Aneksin 1 të Dosjes së Tenderit, Komuna kishte përcaktuar specifika që përkojnë me karakteristikat e dy modeleve konkrete të Volkswagen-it: Taigo R-Line, për veturën e parë, dhe Tayron R-Line, për veturën e dytë. Të dy modelet e veturave tregtohen vetëm Baki Automobile.
Pra, kërkesat teknike të tenderit përkojnë me produkte konkrete, duke kufizuar mundësinë që modele të tjera të veturave, të cilat mund t’u përgjigjeshin nevojave të komunës, të përmbushnin specifikimet e përcaktuara. Si rezultat, në procedurë mori pjesë vetëm një operator ekonomik, i cili u shpall fitues.
Kjo praktikë bie ndesh me deklaratën nën betim të komunës, të nënshkruar në mars 2026, se specifikimet teknike nuk i referohen një produkti, prodhuesi, lloji, origjine apo prodhimi të veçantë. Një ndalesë të tillë e përcakton edhe neni 28, paragrafi 7 i LPP-së, i cili ndalon autoritetet kontraktuese të hartojnë specifikime teknike që i referohen një artikulli, prodhuesi, lloji apo origjine të veçantë. Përjashtimi lejohet vetëm në kushte të jashtëzakonshme, kur nuk mund të hartohet një specifikim mjaftueshëm i saktë dhe i kuptueshëm, dhe vetëm nëse referimi shoqërohet me fjalët “ose ekuivalent”.
Përputhja me dy modelet konkrete të Volkswagen-it lë të kuptohet se Komuna e Vushtrrisë e kishte të përcaktuar në kohë se çfarë veturash dëshironte të blinte, ndërsa specifikimet teknike u hartuan në përputhje me karakteristikat e tyre. Në vend që tregu të ofronte veturat që i plotësonin kërkesat e Komunës së Vushtrrisë, ato u përshtatën me veturat e synuara.
Pikëpyetje për këtë procedurë ngrihen edhe në fazën e vlerësimit të ofertave. Vlerësimi ka përfunduar më 20 prill 2026, ndërsa Njoftimi mbi Vendimin e AK-së për rekomandimin e dhënies e kontratës është publikuar më 14 prill 2026. Pra, dhënia e rekomandimit para përfundimit të vlerësimit, dhe pa konfirmuar paraprakisht përmbushjen e kritereve nga operatori ofertues, përbën shkelje procedurale.
Çmimet e veturave përballë tregut
Veturat e përmendura më lartë janë blerë 90 mijë euro nga Komuna e Vushtrrisë (30 mijë euro për njërën, 60 mijë për tjetrën). Por çmimet e publikuara në treg tregojnë shifra të tjera.
Sipas një kërkimi në çmimet e publikuara në uebfaqen e Baki Automobile, vlera e përbashkët e dy modeleve, Taigo R-Line dhe Tayron R-Line, arrin në 82,589 euro. Ndërkaq, Komuna ka paguar gjithsej 90,000 euro për blerjen e tyre, që paraqet një diferencë prej 7,411 eurosh krahasuar me çmimet e publikuara nga ofruesi i shërbimeve.
Kjo diferencë merr rëndësi pikërisht për shkak të mënyrës se si është zhvilluar procedura. Me vetëm një ofertues në garë, mungesa e konkurrencës e bën të pamundur vlerësimin nëse çmimi i ofruar për të njëjtin produkt apo për një alternativë të krahasueshme do të mund të ishte më i favorshëm dhe, rrjedhimisht, nëse shuma e paguar përfaqëson vlerën më të mirë për paranë publike.
Kjo është veçanërisht relevante në raport me qëllimin e LPP-së, i cili synon përdorimin sa më efikas, transparent dhe të drejtë të fondeve publike. Në një procedurë ku konkurrenca është e kufizuar, autoriteti kontraktues ka më pak mundësi ta testojë tregun përmes ofertave alternative dhe të sigurojë çmimin më të favorshëm. Në rastin e Vushtrrisë, krahasimi me çmimet e publikuara në treg tregon se kjo mundësi nuk është materializuar në çmimin përfundimtar të dy veturave.
Në këto rrethana, pas përditësimit të listës së prokurimeve të centralizuara, Komuna e Vushtrrisë do të duhej ta anulonte procedurën e nisur dhe nevojën për dy veturat ta trajtonte përmes AQP-së, në përputhje me mekanizmin e prokurimit të centralizuar. /Demokraci Plus