Aktuale

Ku përfunduan pajisjet e paguara nga shteti? ZKA zbulon parregullsi në grantet e Ministrisë

Nga Kujdestari Media

Mijëra euro të dhëna nga shteti për pajisje të bizneseve nuk po gjendeshin aty ku duhej, ndërsa dokumentacioni i monitorimit në raste të caktuara paraqiste një realitet tjetër. Zyra Kombëtare e Auditimit ka zbuluar mangësi serioze në mënyrën se si Ministria e Zhvillimit Rajonal ka mbikëqyrur grantet e Programit për Zhvillim Rajonal të Balancuar. Në tri projekte të kontrolluara fizikisht mungonin pajisje me vlerë të përgjithshme prej 35 mijë e 594 eurosh, ndërsa deri në përfundimin e auditimit Ministria nuk kishte nisur procedurat për kthimin e mjeteve apo aseteve.

Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit për periudhën 2024–2025 nxjerr në pah dallime mes asaj që ishte dokumentuar gjatë monitorimit të disa projekteve dhe asaj që auditorët kanë konstatuar nga verifikimet.

Gjatë periudhës së audituar, financimet e realizuara nga Ministria e Zhvillimit Rajonal në kuadër të Programit për Zhvillim Rajonal të Balancuar kapën vlerën 3 milionë e 688 mijë e 400 euro.

ZKA vlerëson se Ministria i kishte krijuar mekanizmat për monitorimin e projekteve, përfshirë përgjegjësitë, procedurat, monitorimin administrativ dhe vizitat në terren. Problemet, megjithatë, dalin te mënyra se si këta mekanizma janë zbatuar në praktikë. (RAPORTI)

Në raport shkruhej se pajisjet ishin funksionale- fotografia i tregonte ende të ambalazhuara

Auditorët kanë ekzaminuar dokumentacionin e 30 projekteve të financuara. Në tri raste kanë konstatuar mangësi në dokumentimin e gjendjes reale të projekteve.

Ajo që e bën gjetjen veçanërisht problematike është mënyra e dokumentimit me fotografi.

Sipas ZKA-së, zyrtarët përgjegjës kishin hartuar raporte monitorimi ku ishte raportuar se projektet po zbatoheshin sipas marrëveshjeve të grantit dhe se gjendja ishte e rregullt. Por, kur auditorët krahasuan raportet me dokumentacionin mbështetës, gjetën mospërputhje.

Në një rast, në vend të fotografive të bëra gjatë vizitës monitoruese, raportit i ishin bashkëngjitur fotografi nga faza e pranimit fillestar të pajisjeve.

Në dy raste të tjera situata ishte edhe më problematike: fotografitë e vendosura në raport nuk korrespondonin me pajisjet e financuara nga granti.

Madje, në njërin rast, fotografitë tregonin pajisje që ishin ende me ambalazhin mbrojtës, ndërkohë që në raportin zyrtar ishte konstatuar se pajisjet ishin funksionale dhe në përdorim.

ZKA ia atribuon këtë moszbatimit të plotë të përgjegjësive nga zyrtarët monitorues dhe vlerëson se mangësitë e tilla e zvogëlojnë besueshmërinë e raporteve dhe nuk japin siguri të mjaftueshme se informacioni i raportuar përputhet me atë që është konstatuar realisht gjatë vizitave.

Auditori doli në terren -mungonte makineria 15 mijë euro

Problemet nuk mbetën vetëm te fotografitë.

Gjatë ekzaminimeve fizike, ZKA thotë se ka evidentuar raste konkrete të mosrespektimit të detyrimeve kontraktuale nga përfituesit e granteve.

Rasti i parë lidhet me një projekt prej 28 mijë eurosh, të financuar për blerjen e pajisjeve për zdrukthëtari.

Kur auditorët e kontrolluan projektin, mungonte makineria për prerjen e dërrasave të ivericës, e cila kishte vlerën prej 15 mijë eurosh.

Granti 30 mijë euro për furrtari-mungonte mikseri 9 mijë euro

Një situatë e ngjashme është konstatuar edhe te një përfitues tjetër.

Projekti ishte financuar me 30 mijë euro për blerjen e pajisjeve për veprimtari furrtarie.

Nga kontrolli fizik, ZKA konstatoi se mungonte mikseri për përzierjen e brumit, pajisje me vlerë 9 mijë euro.

Tetë nga 11 pajisjet nuk u gjetën

Gjetja e tretë është edhe më e gjerë për nga numri i pajisjeve.

Një projekt në fushën e shërbimeve të pastrimit ishte financuar me 14 mijë e 990 euro.

Por gjatë ekzaminimit fizik, auditorët konstatuan se mungonin tetë nga gjithsej 11 pajisjet e financuara.

Vlera e pajisjeve që mungonin ishte 11 mijë e 594 euro, ndërsa mes tyre përfshiheshin makina për pastrimin e dyshemeve dhe fshesa thithëse për pluhur.

Pra, vetëm në këto tri raste të evidentuara nga ZKA, vlera e pajisjeve që nuk u gjetën arrin në 35 mijë e 594 euro.

Marrëveshjet ndalonin shitjen, huazimin apo dhënien me qira

Rregullat për përfituesit, ndërkaq, ishin të qarta.

Sipas dokumenteve të cituara nga ZKA, përfituesit obligoheshin t’i mirëmbanin investimet sipas projektit të miratuar për dy vjet pas realizimit të projektit.

Gjatë kësaj periudhe ata zotoheshin që pajisjet dhe makineritë e financuara nga granti të mos i tjetërsonin, shisnin, jepnin me qira apo huazonin.

Nëse investimi publik nuk përdorej për qëllimin e projektit ose tjetërsohej, marrëveshja i jepte Ministrisë jo vetëm të drejtën, por sipas raportit edhe obligimin për të kërkuar kthimin e mjeteve të financuara dhe për të ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore.

Ministria ende nuk kishte nisur procedurat për kthimin e mjeteve

Pikërisht këtu del një tjetër gjetje e rëndë e Auditorit.

ZKA i konsideron rastet e identifikuara si shkelje të kushteve të marrëveshjeve të grantit për ruajtjen dhe përdorimin e aseteve.

Megjithatë, deri në përfundimin e auditimit, Ministria e Zhvillimit Rajonal nuk kishte iniciuar procedurat për zbatimin e dispozitave kontraktuale.

Kjo përfshinte edhe kërkimin për kthimin e mjeteve ose të aseteve të financuara dhe ndërmarrjen e masave të tjera të parashikuara në marrëveshjet e grantit.

Sipas Auditorit, kjo kishte ardhur si pasojë e mangësive në verifikimin dhe përcjelljen e respektimit të detyrimeve kontraktuale nga përfituesit.

ZKA paralajmëron se një situatë e tillë dobëson kontrollin mbi përdorimin e parave publike dhe rrit rrezikun që asetet e financuara të tjetërsohen apo të përdoren për qëllime të tjera nga ato për të cilat janë dhënë paratë.

ZKA: Monitorimi nuk ishte plotësisht efektiv

Në konkluzionin e raportit, ZKA pranon se Ministria kishte krijuar mekanizma monitorimi dhe kishte zhvilluar aktivitete monitoruese, por vlerësimi për funksionimin e tyre është kritik.

Sipas Auditorit, zbatimi i këtyre mekanizmave nuk ka qenë plotësisht efektiv për të siguruar monitorim të besueshëm, raportim objektiv dhe mbikëqyrje të vazhdueshme të projekteve.

Fotografitë e vjetra, fotografitë e pajisjeve që nuk përputheshin me ato të financuara, pajisjet e raportuara si funksionale ndërkohë që në fotografi shfaqeshin ende të ambalazhuara dhe, në fund, pajisjet që auditorët nuk i gjetën fare gjatë ekzaminimeve fizike, kanë ngritur pikëpyetje serioze mbi cilësinë e monitorimit të këtyre parave publike.

ZKA i ka rekomanduar ministrit që monitorimi të mbështetet me dokumentacion aktual dhe relevant dhe që, kur evidentohen shkelje të marrëveshjeve, të ndërmerren pa vonesë masat kontraktuale dhe ligjore, përfshirë procedurat për kthimin e mjeteve apo aseteve. /Kujdestari.info/