Ekonomia

Importi i veturave nga Korea u rrit 118%, por kosovarët vazhdojnë ta duan “gjermanin”

Nga Kujdestari Media

Pavarësisht jehonës së madhe që kohët e fundit kanë marrë veturat e importuara nga Korea e Jugut, kosovarët duket se ende nuk janë të gatshëm ta “tradhtojnë” Gjermaninë, shkruan Kujdestari.info.

Të dhënat për importin e veturave tregojnë se Gjermania vazhdon të jetë bindshëm burimi kryesor i automjeteve që hyjnë në Kosovë. Megjithatë, një ndryshim interesant po ndodh në prapavijë: importi nga Korea është më shumë se dyfishuar brenda vetëm një viti.

Gjatë periudhës janar-korrik 2026, në Kosovë janë importuar gjithsej 24 mijë e 802 vetura, me vlerë të deklaruar prej rreth 363.1 milionë eurosh. Për këto vetura janë paguar rreth 27.7 milionë euro doganë, 10.4 milionë euro akcizë dhe 71.5 milionë euro TVSH. Vetëm nga këto tri kategori, të hyrat arrijnë në rreth 109.6 milionë euro.

Por, kur 24 mijë e 802 veturat ndahen sipas vendeve të origjinës, dominimi gjerman bëhet shumë i qartë.

Plot 16 mijë e 291 vetura kanë ardhur nga Gjermania. Kjo do të thotë se afërsisht dy në çdo tri vetura të importuara në Kosovë gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2026 kanë origjinë gjermane.

Pas Gjermanisë renditet Kina me 2 mijë e 140 vetura, Franca me 1 mijë e 892 dhe Republika Çeke me 1 mijë e 39. Korea e Jugut, pavarësisht rritjes së madhe të interesimit, renditet e teta me 327 vetura.

Pra, të paktën për momentin, “dashuria” e kosovarëve për veturat gjermane mbetet e fortë.

Korea po vjen me shpejtësi

Megjithatë, shifrat bëhen shumë më interesante kur krahasohen me një vit më parë.

Nga janari deri në korrik të vitit 2025, nga Korea e Jugut ishin importuar vetëm 150 vetura, me vlerë rreth 1.64 milion euro. Në të njëjtën periudhë të vitit 2026, numri ka arritur në 327 vetura, ndërsa vlera në rreth 3.14 milionë euro.

Kjo nënkupton një rritje prej plot 118 për qind të numrit të veturave brenda vetëm një viti, ndërsa vlera e tyre është rritur për rreth 91.6 për qind.

Madje, vetëm shtatë muajt e parë të këtij viti kanë qenë të mjaftueshëm që importi nga Korea të kalojë atë të gjithë vitit 2025.

Gjatë 12 muajve të vitit të kaluar ishin importuar 306 vetura koreane. Deri në fund të korrikut të këtij viti kanë hyrë 327/ Pra 21 vetura më shumë se gjatë gjithë vitit paraprak. Edhe vlera prej 3.14 milionë eurosh e importit deri në korrik e ka tejkaluar vlerën prej rreth 3.01 milionë eurosh të gjithë vitit 2025.

Krahasimi me vitin 2024 e bën trendin edhe më të dukshëm. Gjatë gjithë atij viti ishin importuar vetëm 267 vetura nga Korea, ndërsa gjatë gjithë vitit 2025 ishin 306. Në shtatë muaj të vitit 2026, shifra ka arritur tashmë në 327.

Jo vetura të reja -97 për qind janë të përdorura

Një tjetër element interesant është lloji i veturave që kosovarët po blejnë nga Korea.

Nga 327 veturat e importuara prej këtij shteti gjatë janarit–korrikut, 317 janë të përdorura dhe vetëm nëntë janë të reja, ndërsa për një veturë nuk ka specifikim të qartë.

Kjo do të thotë se rreth 97 për qind e veturave koreane të importuara janë të përdorura.

Edhe struktura e motorëve jep një ide se çfarë po kërkohet në treg. Vetëm veturat diesel me motorë nga 1,500 deri në 2,000 cm³ përbëjnë rreth 61 për qind të të gjitha veturave të ardhura nga Korea.

Gjermania ende kilometra përpara

Rritja e Koresë është e madhe në përqindje, por diferenca absolute me Gjermaninë mbetet enorme.

Për çdo një veturë nga Korea, gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2026 janë importuar afërsisht 50 vetura me origjinë nga Gjermania.

Në fakt, 16 mijë e 291 veturat nga Gjermania përbëjnë rreth 65.7 për qind të gjithë importit, ndërsa 327 veturat nga Korea vetëm rreth 1.3 për qind.

Edhe historikisht dominimi është i dukshëm. Në vitin 2024, nga gjithsej 38 mijë e 31 vetura të importuara në Kosovë, 27 mijë e 715 kishin ardhur nga Gjermania. Korea atë vit ishte rreth vendit të nëntë me vetëm 267 vetura.

Ndërkohë, tregu i përgjithshëm i veturave po vazhdon të rritet. Nga janari deri në korrik të vitit 2024 ishin importuar 19 mijë e 758 vetura, një vit më vonë 23 mijë e 266, ndërsa në të njëjtën periudhë të vitit 2026 shifra ka arritur në 24 mijë e 802 vetura. /Kujdestari.info/