E premte, 7 Gusht, 2026

Shtrenjtimi godet bujqësinë, rriten çmimet e farërave, plehrave dhe investimeve

Ndaj

Kostoja e prodhimit bujqësor në Kosovë ka vazhduar të rritet edhe gjatë këtij viti. Të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se çmimet e inputeve në bujqësi janë rritur mesatarisht për 7.4 për qind në tremujorin e dytë (TM2) të vitit 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, shkruan Kujdestari.info.

Sipas raportit, rritja më e madhe është shënuar te Inputi 1, që përfshin mallrat dhe shërbimet që konsumohen në procesin e përditshëm të prodhimit bujqësor. Ky indeks është rritur për 10.6 për qind në krahasim me TM2 të vitit 2025.

Ndërkohë, Inputi 2, i cili përfshin mallrat dhe shërbimet që lidhen me investimet në bujqësi, si makineritë, pajisjet dhe ndërtesat, ka shënuar një rritje më të moderuar prej 4.1 për qind.

ASK sqaron se indeksi është përpiluar mbi bazën e çmimeve të grumbulluara në barnatore bujqësore, farmaci veterinare, kompani, tregje dhe pika të tjera ku tregtohen inputet bujqësore në Kosovë.

Në kategorinë e inputeve të konsumit të përditshëm përfshihen farërat dhe materiali mbjellës, energjia dhe vajrat, plehrat dhe përmirësuesit e tokës, pesticidet dhe produktet për mbrojtjen e bimëve, shërbimet veterinare, ushqimi për kafshët, mirëmbajtja e makinerive, mirëmbajtja e ndërtesave, si dhe mallra e shërbime të tjera të nevojshme për aktivitetin bujqësor.

Ndërkaq, te investimet bujqësore përfshihen makineritë dhe pajisjet, ndërtimet e objekteve të fermave dhe investime të tjera infrastrukturore.

Rritja e çmimeve të inputeve nënkupton se fermerët po përballen me kosto më të larta të prodhimit, çka mund të ndikojë edhe në çmimet e produkteve bujqësore për konsumatorët në periudhën në vazhdim. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera