Organizata INPO, në kuadër të Javës Kundër Kosrrupsionit 2025, ka publikuar sot raportin analitik për anulimet e aktiviteteve të prokurimit publik për periudhën 2023–2025, një analizë e thelluar e bazuar në të dhënat zyrtare të formularëve B10, raporton Kujdestari.info.
Gjetjet e raportit zbulojnë se anulimet përbëjnë një problem të vazhdueshëm dhe strukturor brenda sistemit të prokurimit, me ndikime të drejtpërdrejta në realizimin e planifikimit vjetor, nivelin e kontraktimit dhe cilësinë e shpenzimeve publike.
Gjatë tre viteve të analizuara janë regjistruar 7,276 anulime, që përfaqësojnë 22.8% të të gjitha aktiviteteve të prokurimit që përfundojnë pa kontratë. Përqindjet kanë mbetur pothuajse të pandryshuara mes viteve, duke dëshmuar se anulimet nuk janë episode të izoluara, por pasojë e dobësive të përsëritura në planifikim, hartimin e specifikimeve teknike, vlerësimin e ofertave dhe koordinimin institucional. Veçanërisht shqetësuese është gjetja se mbi 90% e anulimeve ndodhin pas hapjes së ofertave, pikërisht në fazën ku procesi duhet të jetë më transparent dhe i mbrojtur nga devijimet.
Nga aspekti financiar, dëmi është i konsiderueshëm: në vitin 2023, 26.62% e vlerës së iniciuar nuk u finalizua me kontratë, ndërsa në vitin 2024 kjo shifër ishte 23.62%. Për vitin 2025 shifrat aktuale janë më të ulëta vetëm për shkak të procedurave ende të hapura dhe pritet të rriten deri në fund të vitit. Këto dinamika krijojnë fragmentim buxhetor, vonesa në projekte kapitale dhe ulje të efikasitetit të shpenzimeve publike.
Analiza institucionale nxjerr në pah pabarazi të forta në performancë. Policia e Kosovës dhe KEK shënojnë nivelet më të larta të anulimeve (75.4% dhe 47.4%), duke cenuar rëndë realizimin e planifikimeve të tyre. QKUK, ndërkohë, tejkalon dukshëm planin e prokurimit duke iniciuar më shumë se dyfishin e aktiviteteve të planifikuara, ndërsa vetëm një pjesë minimale përfundon me kontrata. Performancë të dobët tregojnë edhe Ministria e Mbrojtjes, Trepça dhe MKRS, ndërsa disa komunat dhe AQP paraqesin kapacitete më të qëndrueshme kontraktuese.
Një nga gjetjet më kritike të raportit është se anulimet mund të shndërrohen në një nga format më të heshtura të korrupsionit. Për shkak se anulimi nuk prodhon fitues të favorizuar apo kontrata të dyshimta, ai shpesh mbetet jashtë radarit institucional dhe publik. Por përmes ritenderimeve, ndryshimeve të specifikimeve dhe përdorimit të procedurave të negociuara më pak transparente, anulimet krijojnë hapësirë për manipulim dhe shmangie të konkurrencës. Mungesa e arsyetimit të plotë në formularët B10, veçanërisht kur anulimet ndodhin pas hapjes së ofertave, rrit dukshëm rrezikun e devijimeve.
Raporti paraqet një set rekomandimesh të domosdoshme për përmirësimin e planifikimit, standardizimin e specifikimeve teknike dhe dokumentacionit, transparencë të plotë në arsyetimet e anulimeve dhe krijimin e një mekanizmi paralajmërues (“early warning”) në KRPP, që do të identifikonte me kohë autoritetet me nivele të larta të anulimeve dhe do të mundësonte masa korrigjuese. Po ashtu kërkohet që çdo institucion të zhvillojë analiza të brendshme dhe të ndërmarrë veprime konkrete për çdo anulim të evidentuar.
INPO thekson se, pa reforma të tilla strukturore, Kosova rrezikon të mbetet në një cikël të vazhdueshëm të performancës së ulët kontraktuese dhe të korrupsionit të heshtur që dëmton drejtpërdrejt qytetarët dhe mirëqeverisjen. /Kujdestari.info/