Në Komunën e Fushë-Kosovës, muaji prill duket se ka kaluar më shumë në aeroporte e vizita “studimore”, sesa në zyre. Në listën e vendimeve të kryetarit Valon Prebreza, bien në sy dhjetëra mijëra euro të ndara për udhëtime, takime pune e vizita jashtë vendit, me destinacione që shtrihen nga Shqipëria deri në Itali e Zvicër, shkruan Kujdestari.info.
Vetëm për katër zyrtarë që kanë udhëtuar në Kalabri të Italisë, Komuna ka ndarë 2 mijë e 140 euro e 60 centë, apo mbi 535 euro për person.

Një tjetër vendim parasheh 2 mijë e 994 euro për pjesëmarrjen e katër zyrtarëve në vizitë studimore në Gjenevë dhe Grenoble.

Ndërsa, për 16 zyrtarë komunalë që kanë zhvilluar takim pune në Shqipëri për “finalizimin e projekt-rregulloreve”, janë ndarë gjithsej 6 mijë e 32 euro, apo nga 377 euro për secilin zyrtar.
Në mesin e vendimeve figuron edhe ndarja e 999 eurove për sigurimin e udhëtimit vajtje-ardhje në linjën Prishtinë-Gjenevë-Prishtinë për zyrtarët komunalë.
Po ashtu, 1 mijë e 131 euro janë ndarë për udhëtim zyrtar në panairin ndërkombëtar “Ditët e Bujqësisë 2026” në Lushnje të Shqipërisë.

Në total, vetëm nga vendimet që shihen në këtë dokument, shuma e mjeteve të ndara për udhëtime, takime pune dhe vizita jashtë vendit kap mbi 14 mijë euro. /Kujdestari.info/
