“Operatori fitues nuk i ka përmbushur kriteret, ndërsa MINT ka vepruar jashtë afateve ligjore”, thuhet në raportin e Democracy Plus.
Organizata Democracy Plus (D+) ka publikuar një raport mbi tenderin e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) për ndërtimin e infrastrukturës në Parkun Industrial 2 – Parku i Përgjithshëm në Drenas, kontratë me vlerë mbi 7.7 milionë euro, ku janë evidentuar shkelje të rënda të procedurave të prokurimit, shkruan Kujdestari.info.
Sipas raportit, autoriteti kontraktues ka publikuar me vonesë vendimin për operatorin fitues, ka shqyrtuar kërkesat për rishqyrtim pas afatit ligjor dhe ka shpallur fitues një operator që nuk i përmbushte kriteret e përcaktuara.
“Njoftimi mbi vendimin e Ministrisë është bërë publik 49 ditë pas afatit ligjor, duke cenuar parimin e transparencës dhe barazisë në konkurrim”, thuhet në raportin e D+.
Po ashtu, edhe pse kërkesat e disa operatorëve ekonomikë ishin paraqitur pas afatit ligjor prej pesë ditësh, MINT ka vazhduar t’i shqyrtojë ato, duke vepruar në kundërshtim me dispozitat e prokurimit.
“Këto kërkesa janë shqyrtuar shtatë ditë pas skadimit të afatit, në vend që të refuzoheshin si të pasafatshme”, thekson D+.
Në raport theksohet edhe fakti që operatori fitues i kontratës nuk ka përmbushur kriteret teknike dhe profesionale. “Dhënia e kontratës një operatori të papërshtatshëm përbën shkelje të qartë të ligjit dhe bie mbi përgjegjësinë e komisionit vlerësues dhe zyrtarit përgjegjës të prokurimit”, thuhet tutje.
D+ ka ngritur shqetësime edhe për pagesat e bëra. Fillimisht, autoriteti kontraktues ka ekzekutuar një avans prej 775 mijë eurosh, edhe pse mungonte dokumentacioni që justifikon përdorimin e mjeteve. Pas kësaj, operatori ka paraqitur edhe një faturë tjetër prej mbi 90 mijë eurosh për punë paraprake, duke bërë që brenda vetëm një muaji të kontratës të ekzekutohet 11.16% e shumës totale.
“Ligji për Ndarjet Buxhetore kërkon një orar të qartë pagesash të lidhura me punët e realizuara. Në këtë rast, një dokument i tillë mungon”, thekson raporti i D+.
Gjetjet kryesore sipas D+:
-
Vonesë në publikimin e vendimit:
Njoftimi mbi vendimin e autoritetit kontraktues (MINT) për rekomandimin e operatorit fitues është publikuar 49 ditë me vonesë, duke tejkaluar afatin ligjor. -
Shqyrtimi i kërkesave jashtë afatit:
Operatorët ekonomikë të eliminuar kanë paraqitur gjashtë kërkesa për rishqyrtim, por të gjitha pas afatit ligjor prej 5 ditësh. Pavarësisht kësaj, MINT i ka shqyrtuar ato shtatë ditë pas skadimit, në kundërshtim me ligjin që kërkon shqyrtim brenda tre ditësh pune. -
Operator fitues me mangësi:
Raporti thekson se operatori ekonomik i rekomanduar nuk i ka përmbushur kriteret e përshtatshmërisë dhe kapacitetit teknik/profesional të përcaktuara në dosjen e tenderit dhe në njoftim për kontratë. Përgjegjësia bie mbi komisionin vlerësues dhe zyrtarin përgjegjës të prokurimit. -
Tërheqja e ankesave:
Dy operatorë që kishin ushtruar ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP), BM Group Sh.P.K dhe ILEAA-GR Sh.P.K, janë tërhequr pas gjashtë ditësh, duke i hapur rrugë finalizimit të kontratës. -
Pagesë avansi pa dokumentacion mbështetës:
Autoriteti kontraktues ka ekzekutuar një paradhënie prej 775,555.40 €, edhe pse mungon dokumentacioni që justifikon përdorimin e këtyre mjeteve, siç kërkohet me nenin 13 të Ligjit për Ndarjet Buxhetore. -
Fatura e dytë brenda një muaji:
Përveç avansit, operatori ka dorëzuar edhe një faturë tjetër prej 90,196.13 € për punë paraprake (vendosje kontejnerësh, incizime gjeodezike, pastrim terreni etj.), duke bërë që vetëm brenda një muaji të kontratës të ekzekutohet 11.16% e vlerës totale. /Kujdestari.info