E hënë, 16 Mars, 2026

50% më pak kërkesa për azil në Kosovë këtë gjysmëvit krahasuar me periudhën e njëjtë të 2024-tes

Ndaj

Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2025, Kosova ka regjistruar një rënie të ndjeshme në numrin e kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare, duke shënuar vetëm 54 aplikime, krahasuar me 118 sa ishin në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Të dhënat janë bërë të ditur për “Front Online” nga Ministria e Punëve të Brendshme, e që sipas saj, azilkërkuesit kryesisht vijnë kryesisht nga Siria, Jordania, Palestina dhe Maroku.

Numri i kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare për periudhën 1 Janar-30 Qershor 2025 është 54.  Kryesisht dominojnë shtetet si: Siria, Jordania, Palestina dhe Maroko. Krahasuar me gjashtëmujorin e parë të vitit 2024  ku kishim  118 kërkesa për mbrojtje ndërkombëtare  dhe gjashtëmujorin e parë të vitit 2025  ku kemi 54 kërkesa shohim rënie prej 50% të  numrit të kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

 MPB: 42 azilkërkues aktualisht në Kosovë

Sipas statistikave të dërguara në adresë të “Front Online” nga Ministria e Punëve të Brendshme, në Kosovë aktualisht ndodhen 42 persona që kanë aplikuar për mbrojtje ndërkombëtare.

“Numri i aplikuesëve për mbrojtje ndërkombëtare që gjinden aktualisht në Republikën e Kosovës  është 42”, thuhet në përgjigjen e MPB-së.

Gjatë kësaj periudhe, gjithashtu janë regjistruar 6 kthime në vendet e origjinës të personave që kanë aplikuar për mbrojtje ndërkombëtare.

“Numri i aplikuesëve për mbrojtje ndërkombëtare  të kthyer në vend të origjinës për periudhën  1 Janar – 30  Qershor 2025 është 6”, thuhet në përgjigje.

Ja cilat janë përfitimet që marrin azilkërkuesit në Kosovë

Nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë për “Front Online” se Qendra për Azil në Kosovë mbetet institucioni përgjegjës për pranimin, regjistrimin dhe akomodimin e aplikuesve.

Tutje, në përgjigjen e Ministrisë tregojnë se cilat janë përfitimit që marrin azilkërkuesit.

“Qendra për Azil është përgjegjëse për pranimin, regjistrimin, akomodimin, pajisjen me dokumente personale të parashtruesve të kërkesës për mbrojtje ndërkombëtare gjatë procedurës së kërkimit të azilit. Përfitimet janë  shërbime shëndetësore, ndihmë juridike dhe administrative, asistencë sociale dhe psikologjike, shujta ditore, veshmbathje, pako higjienike dhe forma të tjera të ndihmës fizike”, thuhet në përgjigjen e MPB.

 

Lexo më shumë

Të tjera