Furnizuesi i Shërbimit Universal me energji elektrike në Kosovë, KESCO, ka dorëzuar në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) aplikimin për përcaktimin e të hyrave të lejuara maksimale për vitin 2026, duke hapur kështu rrugën për një tjetër shtrenjtim të energjisë elektrike për qytetarët dhe bizneset që furnizohen në kuadër të shërbimit universal. Në dokumentin zyrtar, KESCO kërkon rritje të çmimit të rrymës për rreth 21.4 për qind, një rritje që, nëse miratohet, do të ishte e treta brenda katër vjetëve të fundit, shkruan Kujdestari.info
Sipas aplikimit tarifor, të hyrat e lejuara maksimale që KESCO kërkon për vitin 2026 arrijnë në 528.78 milionë euro, krahasuar me rreth 435.93 milionë euro sa kanë qenë të aprovuara për vitin 2025. Diferenca prej mbi 90 milionë eurosh, sipas kompanisë, reflekton rritjen e kostove reale të furnizimit me energji elektrike, rritjen e varësisë nga importi, shpenzimet operative dhe bartjen e një hendeku financiar nga viti paraprak
Në thelb të kërkesës së KESCO-s qëndron struktura e furnizimit me energji për vitin 2026. Nga dokumenti rezulton se konsumi i parashikuar për konsumatorët e shërbimit universal arrin në 4,665 GWh. Pjesa më e madhe e kësaj energjie pritet të mbulohet nga prodhimi vendor i KEK-ut, por një sasi e konsiderueshme rreth 422 GWh apo afërsisht 9 për qind e totalit do të duhet të sigurohet përmes importit. Edhe pse importi përbën një pjesë relativisht të vogël të energjisë në sasi, ai zë një peshë shumë më të madhe në kosto, pasi energjia e blerë në tregjet rajonale dhe evropiane është dukshëm më e shtrenjtë se prodhimi vendor.
Dokumenti e lidh drejtpërdrejt rritjen e importit me gjendjen e kapaciteteve prodhuese në vend. Pas remontit të njësisë Kosova B2 gjatë vitit 2025, në vitin 2026 parashihet rehabilitimi i njësisë Kosova B1, me një kohëzgjatje të planifikuar prej rreth tetë muajsh. Kjo, sipas KESCO-s, do të kufizojë ndjeshëm disponueshmërinë e prodhimit vendor dhe do ta rrisë në mënyrë të pashmangshme varësinë nga importi, veçanërisht gjatë sezonit dimëror, kur kërkesa për energji është më e lartë.
Kostoja totale e blerjes së energjisë me shumicë për vitin 2026, sipas llogaritjeve të paraqitura në aplikim, arrin në 229.04 milionë euro. Nga kjo shumë, importi përfaqëson vetëm rreth 9 për qind të energjisë, por mbi 29 për qind të kostos totale, një disproporcion që, sipas KESCO-s, e bën të domosdoshëm reflektimin real të këtij komponenti në tarifa. Kompania thekson se çdo devijim nga prodhimi vendor i planifikuar përkthehet menjëherë në import më të shtrenjtë, pa alternativa të brendshme për kompensim.
Një tjetër element kyç i kërkesës për shtrenjtim është i ashtuquajturi “faktor korrigjues”. Sipas dokumentit, gjatë vitit 2025 KESCO është përballur me kosto reale më të larta sesa të hyrat e miratuara, kryesisht për shkak të rritjes së konsumit dhe nevojës për import shtesë. Si rezultat, kompania ka llogaritur një faktor korrigjues prej rreth 49.5 milionë eurosh, i cili kërkohet të bartet dhe të përfshihet në të hyrat e lejuara për vitin 2026. Në thelb, kjo nënkupton se një pjesë e faturës së vitit të kaluar do të paguhet përmes tarifave të vitit të ardhshëm.
Përveç kostove të energjisë, KESCO në aplikim rendit edhe rritjen e shpenzimeve operative. Kompania argumenton se inflacioni, rritja e numrit të konsumatorëve dhe procesi i liberalizimit të tregut kanë rritur ndjeshëm barrën operative. Sipas dokumentit, vetëm procesi i informimit dhe verifikimit të mbi 100 mijë konsumatorëve komercialë, në kuadër të liberalizimit, ka sjellë shpenzime shtesë për staf, komunikim publik dhe logjistikë. Po ashtu, vendimi i Qeverisë për rritjen e pagës minimale në 425 euro nga janari dhe 500 euro nga korriku 2026 pritet të ketë efekt zinxhiror në kostot e shërbimeve mbështetëse, si sigurimi, pastrimi dhe mirëmbajtja.
Në strukturën e kërkesës për 528.78 milionë euro përfshihen edhe kostot e bartshme, përkatësisht tarifat e rrjetit të transmetimit dhe shpërndarjes, të cilat KESCO i ka projektuar me një rritje të pritshme lineare prej 20 për qind. Edhe pse këto tarifa përcaktohen në një proces të veçantë nga ZRRE, kompania i ka përfshirë ato në aplikim për të reflektuar ndikimin potencial që do të kenë në faturën përfundimtare të konsumatorit.
ZRRE tashmë ka nisur procesin e shqyrtimit të aplikimeve tarifore për vitin 2026, ndërsa vendimi përfundimtar për tarifat e reja të energjisë elektrike pritet të merret deri më 1 prill, kur zakonisht shpallen çmimet që vlejnë për periudhën njëvjeçare pasuese. Nëse rritja e kërkuar nga KESCO miratohet në këtë formë, qytetarët e Kosovës do të përballen me një tjetër rritje të ndjeshme të faturave të rrymës, në një kohë kur kostoja e jetesës dhe presioni ekonomik vazhdojnë të rriten. /Kujdestari.info/
DOKUMENT (KETU)