Komuna e Prishtinës, e udhëhequr nga LDK dhe kryetari Përparim Rama, po tregohet e paaftë në realizimin me kohë të projekteve infrastrukturore, shkruan Demokracia.com, duke u bazuar në të dhëna zyrtare të prokurimit.
Më 4 nëntor 2024, komuna ka nënshkruar kontratën për projektin “Rekonstruimi i rrugës Rexhep Luci dhe Qamil Hoxha”, ndërsa punimet kanë nisur më 20 nëntor të po atij viti. Sipas dokumenteve të prokurimit, afati i përcaktuar për përfundimin e punimeve ka qenë 120 ditë pune.
Megjithatë, deri më 16 korrik 2025 kanë kaluar plot 240 ditë, dhe Komuna nuk ka arritur ende të përfundojë punimet as në rrugën “Rexhep Luci”, pjesën ku nuk është raportuar ndonjë pengesë ligjore apo institucionale.
Ndërkohë, punimet në rrugën “Qamil Hoxha” janë ndërprerë me kërkesë të Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për shkak të gjetjeve arkeologjike gjatë gërmimeve.
Para pak ditëve u realizua kontrata shtesë më negocim
Në një zonë tërësisht të rrafshët dhe për një projekt shumë të shkurtër, por me vlerë milionëshe, Komunës së Prishtinës i kanë dalë punë shtesë. Prokurimi komunal do të nënshkruajë një kontratë të negociuar për punimet shtesë në kuadër të kontratës “Rekonstruimi i rrugës Rexhep Luci dhe Qamil Hoxha – Punë e paparapare”, shkruan Demokracia.com.
Kontrata është nënshkruar me të njëjtin grup operatorësh ekonomikë: “FLAMURI V SH.P.K.” dhe “Benita Company Sh.p.k.”, me një vlerë prej 132,993.20 euro.
Bazuar në raportin e publikuar, punët shtesë, për të cilat komuna, nuk i bërë llogaritjet siç duhet , rezultuan në gjashtë pozicione.
Fillimisht, më 21 nëntor 2023, zyra e prokurimit pas vlerësimit të tenderit e rekomandoi për kontratë grupin me ofertën më të lirë prej 888,888.88 euro, “Valdrini”, “Ibrahim Kurrumeli BI”, “LD Construction”.
Pas këtij vendimi, grupi “Flamuri V” shpk dhe “Benita Company” shpk parashtroi ankesë, duke pretenduar se dokumentet e dy inxhinierëve të kompanisë së rekomanduar për kontratë nuk ishin në rregull. Komuna e pranoi këtë pretendim dhe ktheu tenderin në rivlerësim, duke e konsideruar se kishte bërë disa shkelje herën e parë. Pas një periudhe të gjatë rivlerësimi, komuna rekomandoi për kontratë grupin “Flamuri V” shpk dhe “Benita Company” shpk me ofertë prej 1,338,169.56 euro, që është rreth 450 mijë euro më e shtrenjtë se oferta fillestare.
Kësisoj, komuna shkeli mbi vendimin e parë të vetin, sepse po të mos kishte ankesë, kontrata do të nënshkruhej me ta.
Madje, kjo ofertë e tejkaloi edhe buxhetin e parashikuar nga komuna që ishte 1.1 milion euro, duke shkuar 238 mijë euro mbi të. Kur çmimi i kontratës është më i lartë se vlera e parashikuar, tregon se autoriteti kontraktues nuk e ka bërë si duhet vlerësimin.
Neni 62 i Ligjit të Prokurimit flet për “Përfundimin e Aktivitetit të Prokurimit” dhe aty është caktuar qartë se në këtë rast duhet të anulohet procedura e prokurimit.
- Autoriteti kontraktues mund të përfundojë atë aktivitet të prokurimit, i cili nuk do të rezultojë në dhënien e kontratës vetëm për njërën nga arsyet: “1.2. të gjithë tenderët e përgjegjshëm përmbajnë çmime që në masë substanciale e tejkalojnë buxhetin e autoritetit kontraktues për aktivitetin e prokurimit”, thuhet në pikën 1.2 të nenit 62, përcjell Demokracia.com.
Edhe Rregullorja nr. 001/2022 për Prokurimin Publik, neni 43 flet për “Ndërprerjen e procedurave të prokurimit”.
“43.7 Procedura e prokurimit pas hapjes së ofertave mund të anulohet për arsyen e mëposhtme:
- të gjithë tenderët e përgjegjshëm përmbajnë çmime që e tejkalojnë buxhetin e AK. Të gjithë tenderët e përgjegjshëm përmbajnë çmime të cilat në masë substanciale e tejkalojnë buxhetin e autoritetit kontraktues për aktivitetin e prokurimit”.
Pas këtij vendimi, grupi i kompanive që ishte rekomanduar fillimisht paraqiti ankesë duke ofruar prova se posedonin të gjitha dokumentet e kërkuara për inxhinierët. Komuna e refuzoi ankesën dhe kështu kompania iu drejtua OSHP-së. Më 15 korrik 2024, OSHP-ja aprovoi ankesën dhe urdhëroi komunën që të kthejë në rivlerësim tenderin, pasi u konstatua se dokumentet e inxhinierëve ishin në rregull.
Më 27 gusht 2024, komuna e rekomandoi sërish grupin me ofertën më të shtrenjtë.
Ditët e fundit, grupi që kishte fituar herën e parë paraqiti një ankesë tjetër në OSHP, duke argumentuar se grupi i rekomanduar nuk plotëson disa nga kërkesat dhe se komuna nuk e mori parasysh vendimin e parë të OSHP-së. Eksperti identifikoi shkelje dhe rekomandoi që lënda të kthehej në rivlerësim. Megjithatë, paneli vendosi të rrëzojë vendimin e ekspertit, një veprim që ndodh rrallë, dhe i dha të drejtë Komunës së Prishtinës. Tani komuna mund të vazhdojë me nënshkrimin e kontratës dhe, duke e mbajtur kohën nën kontroll, mund të niset me punimet.