E mërkurë, 17 Dhjetor, 2025

Meditech siguron edhe një tender 6.2 milionë euro nga SHSKUK për furnizim me barna

Ndaj

Institucionet e shëndetësisë vazhdojnë t’i japin kontrata kompanisë “Meditech”, e cila edhe më parë ka përfituar tenderë të mëdhenj nga institucioet, pavarësisht polemikave dhe kritikave për favorizime, shkruan Kujdestari.info.

Së fundmi, kompania Meditech është shpallur fituese e tenderit “Furnizim me Barna nga Lista Esenciale për Nevojat e SHSKUK-së”, duke siguruar dy kontrata në vlerë totale prej 6,273,184 euro, përkatësisht:

  • Lot 1: Pertuzumab + Trastuzumab 1200 mg, vlera e kontratës 587,024 euro për një vit;
  • Lot 2: Pertuzumab + Trastuzumab 600 mg, vlera e kontratës 5,686,160 euro për 12 muaj.

Furnizimi do të shkojë kryesisht për Klinikën e Onkologjisë të SHSKUK-së.

Pronarët e kompanisë janë Mikelina Rodiqi, Shkelzen Fetiu, Arianit Jakupi dhe Stak Staka. Njëri prej tyre, Arianit Jakupi, mban edhe një pozicion në Këshillin Drejtues të Odës Farmaceutike të Kosovës, gjë që ka ngjallur dyshime për konflikt interesi.

Deputeti Bekim Haxhiu kishte akuzuar më herët se Jakupi kishte përfshirë 15 lloje barnash të distribuara nga Meditech në Listën Esenciale, ndërsa deputeti Armend Zemaj kishte thënë se janë futur 16 lloje barnash nga kompania në këtë listë. Të dy paten kërkuar hetim nga organet përkatëse, ndërsa Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, kishte thënë se “është e rëndësishme që çdo dyshim të hetohet”.

Meditech, një përfitues i vazhdueshëm i kontratave publike: mbi 80 milionë euro nga buxheti i shtetit gjatë katër viteve të fundit

Sipas raporteve të mediave në korrik të këtij viti, kompania farmaceutike Meditech ka përfituar 153 kontrata publike në një vlerë që tejkalon 75 milionë euro gjatë periudhës 2021–korrik 2025, kryesisht nga Ministria e Shëndetësisë (MSH) dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK). Përfitimet e kompanisë vënë në pah një dominim të qartë në sektorin e barnave, ku aksionerë si Stak Staka dhe Arianit Jakupi kanë pasur lidhje të drejtpërdrejta me institucionet që vendosin për listat e barnave esenciale, duke ngritur dyshime serioze për konflikt interesi dhe favorizime në ndarjen e tenderëve publikë. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera