Renditja e kompanive më të mëdha në vend, sipas qarkullimit vjetor, “Monitor 200”, për vitin 2024. Zgjerimi i shoqërive po pengohet nga mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar, duke detyruar rritjen e pagave, pa u mbështetur në produktivitet. Shpenzimet për paga dhe sigurime për sipërmarrjet më të mëdha në vend sipas të ardhurave ishin 14% më të larta në vitin 2024. Për krahasim, po të njëjtat shoqëri shtuan të ardhurat me 6%, ndërsa fitimet u tkurrën me 16%. Ekonomia nuk po arrin të diversifikohet përtej sektorëve tradicionalë, duke mbetur e varur nga ndërtimi dhe tregtia. E vetmja risi e 2024-s është rritja e sipërmarrjeve të përqendruara në energjinë e diellit. Turizmi po ndihmon konsumin dhe hotelerinë, por ato mbeten ende jashtë listës së 200 më të mëdhenjve.
Pas më se 30 viteve tranzicion, ekonomia po kalon në një fazë tjetër. Bizneset në vite janë rritur e diversifikuar duke zgjeruar aktivitetin jo vetëm brenda vendit, por në disa raste edhe jashtë tij.
Në fillim të viteve ’90 ishte e lehtë të menaxhoje një sipërmarrje në një treg të uritur.
Në dekadat në vijim, merita, sofistikimi, dinamizmi, por në një vend si Shqipëria edhe lidhjet e duhura, ishin të domosdoshme për të pasur sukses, në një treg ku konkurrenca, shpesh dhe e pandershme, po rritej si nga brenda ashtu dhe nga jashtë, ndërsa informaliteti shërbeu shpesh si avantazh konkurrues.
Pengesat gjatë rrugës, në disa raste ciklike, si maturimi i tregjeve, apo të papritura, si kriza globale e 2008-s, apo pandemia e 2020-s, u kapërcyen relativisht lehtë, me bizneset që jo vetëm ishin të mësuara me vështirësitë, por dhe për shkak të strukturës jo komplekse të pronësisë, e kishin më të lehtë të përshtateshin me shpejtësi, pa nevojën e vendimmarrjes komplekse.
Por, tani biznesi po përballet me një pengesë që është kthyer në tendencë të qëndrueshme: mungesën e fuqisë punëtore.
Modeli i zhvillimit, i orientuar në sektorë pa vlerë të shtuar të lartë, si tregtia apo ndërtimi dhe shfrytëzimi i avantazhit të kostos së lirë të fuqisë punëtore, nuk e ndihmoi vendin të largohej shumë nga pozicioni i vendit të fundit të Europës për të ardhurat për frymë dhe pagat.
Në një formë proteste të heshtur ndaj këtij modeli dhe politikave qeveritare, që nuk arritën të sjellin zhvillimin e pritshëm, emigrimi rifilloi një cikël të ri pas vitit 2016.
Ndryshe nga të ikurit e fillimit të viteve ‘90, emigrantët e rinj, kryesisht të lindurit e pas viteve ‘90, ishin një brez me pritshmëri më të larta nga jeta dhe me shumë mundësi për të lëvizur në një botë që ofron shumë zgjedhje.
Kjo tendencë filloi të krijonte një ngërç në tregun e punës që para pandemisë, por që sa erdhi dhe u bë më e mprehtë vitet e fundit dhe është një shqetësim që bizneset e shprehin në raportet e tyre vjetore të aktivitetit.
Problematika e mungesës së fuqisë punëtore vetëm sa u thellua në 2024-n, duke ndikuar si produktivitetin, ashtu dhe planet e sipërmarrjeve për investime e zgjerime të mëtejshme. Ndërsa Censi i fundit i INSTAT i vitit 2023, gjeti se ka 420 mijë persona më pak se në vitin 2011, tendenca u përkeqësua në 2024-n. Popullsia zbriti në 2.36 milionë banorë.
Për një ekonomi të vogël, kjo do të thotë se gati një e shtata e popullsisë është larguar, me pasoja të rënda si në gjetjen e fuqisë punëtore, kryesisht të të rinjve, ashtu dhe në konsum.
Emigracioni neto (diferenca mes personave që ikin dhe atyre që kthehen) është thelluar në 2021 – 2024, me mesatarisht 30 mijë persona që i ikin Shqipërisë në vit, cikli me më shumë largime të paktën që nga viti 2011, kur INSTAT raporton të dhënat.
Numri i individëve, që largohen për arsye punësimi, ka ardhur në rritje të ndjeshme vitet e fundit. Eurostat raportoi se vetëm në 2022-2024 janë dhënë mesatarisht 20 mijë leje pune në vit, kryesisht në Itali, Greqi e Gjermani, nga rreth 3-4 mijë që jepeshin një dekadë më parë.
Që nga viti 2021, Bashkimi Europian ka dhënë rreth 72 mijë leje qëndrimi për herë të parë për arsye punësimi për shtetasit shqiptarë.
Kjo shifër, që përfshin vetëm ikjet zyrtare, pa llogaritur ata të paregjistruar, që punojnë në të zezë, apo ata që ikin për punësim sezonal, është sa 13% e të punësuarve në sektorin privat jo bujqësor, sipas të dhënave të tjera të INSTAT.
Një popullsi më e reduktuar nuk do të thotë vetëm më pak punonjës, por edhe më pak konsumatorë. Plakja graduale e popullsisë është një tjetër faktor që ndikon dhe riorienton potencialin për të bërë biznes.
Mosha mediane, që ndan popullsinë përgjysmë, arriti në 44.3 vjeç në fillim të vitit 2025, nga 32.6 vjeç që ishte në 2011-n, sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, duke iu afruar mesatares së Bashkimit Europian prej 44.7 vjeç.
Bumi turistik që ka përjetuar vendi vitet e fundit ishte një faktor i rëndësishëm që amortizoi deri diku konsumin e munguar nga rënia e popullsisë dhe nxiti një ekonomi, që nuk ka kush po i shërben!
Gjetja e fuqisë punëtore po bëhet një problem gjithnjë e më shqetësues, që po pengon planet e bizneseve për të menaxhuar aktivitetin e përditshëm dhe mbi të gjitha për t’u zgjeruar me investime të reja.
Në kahun tjetër, mungesa e fuqisë punëtore, teksa emigracioni po vijon me ritme të shpejta, ka detyruar kompanitë të rrisin shpenzimet për personelin, që në pjesën më të madhe nuk përkthehet në shtim të produktivitetit, duke ndikuar në performancën afatgjatë.
“Monitor” përpunoi të dhënat e shpenzimeve të personelit për 200 sipërmarrjet më të mëdha në vend sipas të ardhurave. Shpenzimet për paga dhe sigurime për 165 sipërmarrjet nga kjo listë, që i kanë raportuar të dhënat e detajuara në pasqyrat financiare, janë rritur me rreth 14% në 2024-n, në raport me një vit më parë.
Për krahasim, po të njëjtat shoqëri shtuan të ardhurat me gati 6%, ndërsa fitimet u tkurrën me 16%.
Këto të dhëna tregojnë qartë se rritja e kostove të shpenzimeve të personelit nuk është shoqëruar me përmirësimin e rendimentit të punës, por ka qenë e detyruar nga presioni që ka shkaktuar në treg mungesa e fuqisë punëtore.
Edhe tregu i punës nuk po sjell zgjidhje të besueshme për fuqi punëtore nga jashtë dhe për më tepër, kuadri ligjor për këtë lloj zgjidhje është ende i brishtë dhe i paqëndrueshëm.
Deri në vitin 2024, në vend kishte 11.2 mijë të huaj, të pajisur me leje pune dhe vërtetime pune, sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive (AKPA). Krahasuar me vitin paraardhës, numri i tyre u rrit me 14%.
Në raport me 2018, numri i punëtorëve të huaj me leje apo vërtetime pune është shtuar 1,7 herë. Pavarësisht rritjes, ky numër përbën vetëm 2% të të punësuarve gjithsej kontribuues në sektorin privat, ku ka gjithsej rreth 560 mijë të punësuar, sipas INSTAT.
Ngërçi i personelit
“Monitor” përpunoi të dhënat e shpenzimeve të personelit për 200 sipërmarrjet më të mëdha në vend sipas të ardhurave. Shpenzimet për paga dhe sigurime për 165 sipërmarrjet nga kjo listë, që i kanë raportuar të dhënat e detajuara në pasqyrat financiare, janë rritur me rreth 14% në 2024-n, në raport me një vit më parë. Për krahasim, po të njëjtat shoqëri shtuan të ardhurat me gati 6%, ndërsa fitimet u tkurrën me 16%. Këto të dhëna tregojnë qartë se rritja e kostove të shpenzimeve të personelit nuk është shoqëruar me përmirësimin e rendimentit të punës, por ka qenë e detyruar nga presioni që ka shkaktuar në treg mungesa e fuqisë punëtore.
Ndryshimet demografike dhe presioni që ato ushtrojnë në konsum po ndikojnë në ecurinë e bizneseve, që po rriten më ngadalë.
Xhiroja e 200 kompanive më të mëdha në vend, në vitin 2024, në renditjen e përvitshme të “Monitor 200”, ishte 1.48 trilionë lekë (rreth 15 miliardë euro), me një rritje prej 5.9% në krahasim me vitin e mëparshëm.
Ecuria e të ardhurave të 200 kompanive më të mëdha ndikohet kryesisht nga sektorë si tregtimi i naftës, energjisë, që janë të lidhura direkt me koniunkturën e çmimeve ndërkombëtare, apo nga ndërtimi, që ka luhatje të forta në varësi të ecurisë së shitjeve të banesave rezidenciale dhe projekteve të infrastrukturës që financohen nga buxheti.
Në vitin 2024, ekonomia ruajti të njëjtat ritme si në vitin 2023 duke u zgjeruar me 3.96%, nga 3.94% vitin e mëparshëm.
Ndryshe nga vitet e mëparshme, kur ndërtimi dhe aktiviteti i pasurive të paluajtshme mbajtën peshën kryesore, në 2024-n, kontributi i tyre erdhi në rënie, sidomos në pjesën e dytë të vitit. Administrata publike ishte një faktor i rëndësishëm që ndikoi në ecurinë e ekonomisë, e nxitur nga rritja e fortë e pagave në administratën publike.
Kthimi i Shqipërisë në një destinacion turistik mbetet një faktor i rëndësishëm që po riorienton ekonominë drejt shërbimeve, duke amortizuar disi dhe rënien e konsumit nga vendasit, për shkak të emigracionit dhe uljes së fuqisë blerëse pas periudhës me inflacion të lartë.
Pas një inflacioni të lartë në vitin 2022, që arriti në 6.2%, më i larti nga 1998-a dhe që mbeti relativisht i lartë në vitin 2023, në nivelin e 4.8%, presionet u lehtësuan dukshëm në 2024-n.
Krahas presioneve demografike, ekonomia vijoi të vuajë pasojat e një mjedisi jokonkurrues, në shumë raste favorizues për një pakicë, pak investime në teknologji e orientim nga importi, mungesë të investimeve të huaja cilësore dhe vlerë të shtuar të ulët e pagat më minimale në Europë.
Ekonomia po vuan gjithnjë e më fort pasojat e problemeve të saj strukturore, si varësia e lartë nga importet; konkurrueshmëria e ulët e industrisë përpunuese që u bë dhe më e brishtë ndaj importeve; niveli i ulët i sofistikimit dhe vlera e ulët e shtuar e eksportuesve, që i bëri ata më të brishtë ndaj luhatjeve të monedhave; orientimi drejt industrive joproduktive si ndërtimi, që nuk bën asgjë për të ndihmuar në raste krizash; investimet e pakta në teknologjinë e informacionit, që mund të shërbenin si amortizator; si dhe ekonomia informale, që është aq e lartë saqë arrin të zhbalancojë të gjithë treguesit ekonomikë!
Ekonomia mbetet e varur nga konsumi që po bie. Ndërtimet, që nxitën rritjen për disa vite radhazi, nuk dihet se për sa kohë do të vazhdojnë fryrjen, përpara se të fillojnë rënien, teksa ngadalësimi ka mbërritur tashmë.
Industria përpunuese po zëvendësohet gjithnjë e më shumë nga importet dhe sipërmarrjet nuk duken të përgatitura të përballojnë presionin e hapjes së tregjeve, pasi vendi ka nisur një përshpejtim të procesit administrativ që i paraprin integrimin në BE, me një nxitje edhe publike të përfaqësuesve të Komisionit apo nga liderë të vendeve të rëndësishme në BE.
Euro e dobët po u jep goditjen e fundit eksportuesve dhe po ndikon ndjeshëm turizmin, sektorin që po ecte më mirë vitet e fundit.
Edhe në vitin 2024, në renditjen e 200 më të mëdhave, mbizotërojnë sipërmarrjet tregtuese e shpërndarëse, që kanalizojnë importet pranë konsumatorit lokal. Vetëm një duzinë kompanish kanë aktivitet në industrinë përpunuese.
Eksportuesit po vuajnë rënien e Euros, që u ka ulur të ardhurat në monedhën vendase, duke dalë nga lista e të mëdhenjve.
Industria mbështetëse e prodhimit të pjesëve të automjeteve, e vetmja që po tërhiqte investime dhe kishte ecuri të mirë deri në vitin 2022, në vitin 2023 ndali rritjen dhe në 2024-n ishte në rënie.
Ky sektor ka filluar dhe shkurtimin e punonjësve, përkundër planeve të mëdha fillestare për zgjerimin e aktivitetit.
Për herë të parë në renditje nuk ka asnjë shoqëri nga prodhimi i këpucëve, për shkak të rënies së fortë të aktivitetit të tyre në tre vitet e fundit.
Sipërmarrjet e tregtimit të karburanteve, me shumicë e pakicë, mbizotërojnë në renditjen e “Monitor 200”. Distributorët, që në pjesën më të madhe financojnë importin, sërish zënë një vend kryesor.
Sipërmarrje të tjera kanë thjesht aktivitet tregtar. Ndërtimi, sidomos ai rezidencial, vijon të dominojë në listë. 20% e sipërmarrjeve ndër 200 më të mëdhatë operojnë në ndërtim ose sektorët mbështetës.
Zhvillimi më i dukshëm në renditjen e “Monitor 200” është hyrja e shoqërive që kanë aktivitet në fushën e energjisë diellore, një sektor që po tërheq gjithnjë e më shumë investime së fundmi.
Turizmi është një tjetër aktivitet premtues, por hotelet e mëdha, pavarësisht rritjes, ende nuk janë konsoliduar në nivelin që të plotësojnë kriterin e xhiros për të hyrë në listën e 200 më të mëdhenjve.
Nga 200 sipërmarrjet më të mëdha, sipas qarkullimit vjetor, 66% e tyre raportuan rritje të xhiros në vitin 2024, (me rënie të ndjeshme kundrejt 83% vitin e mëparshëm), 2% ishin hyrje të reja. Për 39% të sipërmarrjeve të renditura në “Monitor 200”, zgjerimi ishte dyshifror (kundrejt 40% vitin e mëparshëm).
32% e kompanive deklaruan rënie të të ardhurave në vitin 2024, në raport me vitin e mëparshëm, të ndikuara nga rënia e çmimeve dhe zhvlerësimi i Euros (nga 17% vitin e mëparshëm).
Kufiri i qarkullimit vjetor minimal të subjekteve që kanë hyrë tek 200 më të mëdhenjtë është rreth 2.4 miliardë lekë, nga 2.2 miliardë lekë vitin e mëparshëm.
Tipike në renditjen e të mëdhave janë kompanitë që deklarojnë xhiro të lartë vjetore, por kanë shumë pak punonjës.
Më shumë sesa një revolucion teknologjik, kjo lidhet me llojin e aktivitetit tregtar, që qarkullon shuma të mëdha nëpërmjet aktivitetit të rishpërndarjes apo shitblerjes, por realisht ka ndikim të ulët në vlerën e shtuar të ekonomisë dhe punësim.
P.sh., një kompani e tillë në listën e më të mëdhenjve në 2024-n raporton të ardhura vjetore prej 5 miliardë lekësh, me shpenzime personeli vjetore prej 2 milionë lekësh, që janë të mjaftueshme vetëm për pagesën e 4 personave me pagë minimale prej 40 mijë lekësh në muaj.
“Monitor 200” ka hartuar, si çdo vit, renditjen e 200 sipërmarrjeve më të mëdha në vend, sipas të ardhurave, bazuar në listën emërore të subjekteve të mëdha të marra nga Tatimet dhe xhirot e deklaruara nga subjektet, në bilancet e dorëzuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) dhe të dhënave nga vetë kompanitë, të cilat nuk e kanë dorëzuar ende bilancin në QKB.
Në numër mbizotërojnë subjektet me aktivitet në fushën e tregtisë, të ndjekura nga ndërtimi, financa, nafta, industria përpunuese.
Në listën e 200 sipërmarrjeve më të mëdha ka 39 shoqëri ndërtimi, ose të lidhura direkt me të, 21 kompani që tregtojnë karburant me shumicë e pakicë, 62 janë në aktivitetin e tregtimit me shumicë e pakicë, 13 janë në energji (prodhim e tregtim).
Nga sektori i industrisë janë 21 shoqëri.
10 KOMPANITË MË TË MËDHA NË VEND
1.“Kastrati Energy Trade”
Kompania më e madhe e importit dhe tregtimit të naftës me shumicë, “Kastrati Energy Trade”, (ish-“Kastrati Group”) është ngjitur sërish në vendin e parë në listën e “Monitor 200”, që i rendit sipërmarrjet sipas të ardhurave vjetore.
Shoqëria raportoi 77.6 miliardë lekë qarkullim vjetor, me rritje prej 9.4% me bazë vjetore, pas tkurrjes me 25.4% vitin e mëparshëm. Këto luhatje të mëdha lidhen me ecurinë e çmimeve të naftës në bursat ndërkombëtare dhe kursit të këmbimit, që reflektohen dhe në tregun vendas.
Vitet e fundit, grupi “Kastrati” është diversifikuar edhe në ndërtim e hoteleri dhe sidomos në ndërtim e operim në infrastrukturë [me një seri projektesh të tilla (porti MBM, Aeroporti Rinasit) dhe autostrada (Rruga e Kombit, me 50% të aksioneve)].
Në dhjetor 2024, “Kastrati Group”, ndryshoi emrin në “Kastrati Energy Trade”.
“Gjatë vitit 2024, “Kastrati Energy Trade” ka vijuar të konsolidojë pozicionin e tij si aktori kryesor në sektorin e energjisë, duke shënuar rritje të qëndrueshme në të ardhura dhe investime strategjike.
Kompania ka theksuar përkushtimin ndaj qëndrueshmërisë dhe tranzicionit të gjelbër, duke orientuar një pjesë të rëndësishme të projekteve drejt energjive të rinovueshme dhe eficiencës energjetike.
Rezultatet e arritura në vitin që lamë pas reflektojnë jo vetëm forcimin e bazës financiare, por edhe angazhimin për të reduktuar ndikimin mjedisor përmes teknologjive inovative dhe modeleve të reja të menaxhimit.
Planet për të ardhmen synojnë zgjerimin në projekte të gjelbra, duke përfshirë investime në burime të pastra energjie, zhvillimin e infrastrukturës së karburanteve alternative dhe nxitjen e një ekonomie më të qëndrueshme për gjeneratat e ardhshme”, thanë burime zyrtare të kompanisë.
2.“OSHEE Group”
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE Group), një kompani publike, ka në pronësi tri shoqëri, Furnizuesin e Shërbimit Universal, Furnizuesin e Tregut të Lirë dhe Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (OSSH).
Të tria kompanitë kanë filluar të operojnë si të veçanta nga 1 janari 2020, pas ndarjes së funksioneve.
Sipas të dhënave zyrtare të buxhetit faktik të Ministrisë së Financave, qarkullimi vjetor i të tria kompanive, duke netuar vlerat e të ardhurave nga aktiviteti i shoqërive brenda grupit, ishte 74.7 miliardë lekë në 2024-n, në të njëjtat nivele me një vit më parë, duke u renditur në sipërmarrjen e dytë në vend, sipas të ardhurave dhe ndërmarrjen publike më të madhe.
“Pas një periudhe gati 3-vjeçare, për shkak të tërmetit, pandemisë dhe krizës energjetike globale, grupi OSHEE nisi në fund të vitit 2023 dhe në vazhdim të 2024-s, një plan masash agresiv sa i takon investimeve”, pohon z. Enea Karakaçi, administrator i kompanisë OSHEE Group.
“Bazuar mbi një strategji të mirë koordinuar, u miratuan dhjetëra projekte me vlerë 40 miliardë lekë, të cilat synon ndërtimin dhe rikonstruksionin e mbi 20 nënstacioneve, shtrimin e rrjetit kabllor 20kV, kabinave të reja me linja ABC, të pozicionuara në çdo cep të vendit”.
3.“Gega Oil Group”
“Gega Oil Group” u rendit në vitin 2024, si operatori i dytë më i madh i naftës në vend, pas “Kastrati Group” për të gjashtin vit radhazi. Kompania ka deklaruar një qarkullim vjetor prej rreth 35.5 miliardë lekësh, me rënie prej 2.8% me bazë vjetore duke u ngjitur në vendin e tretë në renditjen totale.
Paulin Gega, Presidenti i “Gega Oil Group”, pohon se ecuria e “Gega Oil Group” në vitin 2024 ka qenë shumë pozitive duke e renditur kompaninë ndër tre më të mëdhatë në Shqipëri për nga xhiroja dhe duke forcuar pozitat si një nga liderët e tregut të hidrokarbureve në vend dhe rajon.
Kompania ka konsoliduar marrëdhëniet me klientët aktualë, ndërsa ka zgjeruar portofolin e saj me klientë të rinj, veçanërisht operatorë nga tregu shqiptar dhe kosovar.
Ai shton se “një zhvillim i rëndësishëm për këtë vit është edhe zgjerimi i aktivitetit me tregtinë me shumicë të gazit LPG, i cili deri tani është ofruar vetëm me pakicë në pikat tona të karburantit.
Përfshirja e këtij produkti në shitjet me shumicë, jo vetëm që pritet të rrisë xhiron, por edhe të plotësojë më mirë nevojat e disa prej klientëve tanë ekzistues, duke forcuar më tej pozicionin e kompanisë në treg”.
4.Europetrol Durrës Albania”
“Europetrol Durrës Albania”, shoqëria që tregton karburante u ngjit në vendin e katërt në 2024-n. Kompania raportoi të ardhura prej 28.2 miliardë lekësh, me rritje prej 27.7% në raport me vitin 2023.
Sipas raportit të aktivitetit, gjatë këtij viti, është rritur portofoli i klientëve të besueshëm, i cili është fokusuar në favor të segmentit të klientëve dhe bizneseve garantuese të cilët parapaguajnë produktet.
Po ashtu si rezultat i menaxhimit më të mirë, është zvogëluar dukshëm niveli i klientëve jo-performues si dhe janë rritur arkëtimet e debitorëve.
Kompania pohon se ka ndërtuar sistemin për administrimin dhe menaxhimin e rreziqeve financiare, përfshirë strategjinë dhe politikat të cilat shërbejnë në identifikimin, matjen dhe zvogëlimin e të gjitha rreziqeve të biznesit: rrezikut debitor, kreditor, tregut, marketingut, likuiditetit, operacional, ligjor, reputacionit etj.
5.“Big Market”
“Big Market”, zinxhiri më i madh i supermarketeve në vend, për të katërtin vit është klasifikuar ndër 10 më të mëdhatë, sipas qarkullimit vjetor të konsoliduar për të gjithë rrjetin.
Të ardhurat e kompanisë, sipas të dhënave zyrtare, ishin rreth 27.7 miliardë lekë, me rritje prej 4% në krahasim me vitin e kaluar, duke u ngjitur për herë të parë në sipërmarrjen e pestë më të madhe në vend.
Rrjeti i supermarketeve të “Big Market” ka njohur rritje të shpejtë vitet e fundit, duke arritur në 180 pika.
Vëmendja e grupit vazhdon të jetë zgjerimi në pika të reja dhe përmirësimi i shërbimit për klientin vendas. Fokus i veçantë mbetet shtimi i gamës së produkteve Bio, sipas burimeve zyrtare.
6.Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (Sh.a KESH)*
“Korporata Elektroenergjetike Shqiptare” (Sh.a. KESH) renditet për të katërtin vit radhazi në listën e 10 më të mëdhave, duke u ngjitur në vend të katërt. Në vitin 2024, të ardhurat ranë me 36% në 26.7 miliardë lekë, sipas të dhënave të buxhetit faktik të Ministrisë së Financave.
“Nga pikëpamja hidrike, viti 2024 ka qenë një vit nën mesataren shumëvjeçare, pra hidrologjikisht ka qenë një vit relativisht i thatë në reshje dhe për rrjedhojë me prurje, poshtë treguesve shumëvjeçarë.
Prurjet mesatare në HEC Fierzë ishin 140 m³/s, krahasuar me 182 m³/s (mesatarja e 30 viteve të fundit).
Pavarësisht se prurjet rezultuan konsiderueshëm me 23% më pak se mesatarja shumëvjeçare, falë mirëmenaxhimit të integruar dhe të balancuar sipas skenarëve më optimal, prodhimi bruto i Kaskadës së Drinit rezultoi në 4,124 GWh, pra me vetëm 4.7% më pak se mesatarja shumëvjeçare 1994–2023”, pohon Erald Elezi, Administrator, Korporata Eletroenergjetike Shqiptare.
Ai shton se dhe në 2025-n KESH është përballur me një situatë hidrike jashtëzakonisht të vështirë. Prurjet mesatare në kaskadën e Drinit kanë rezultuar rreth 120 m³/s, ndjeshëm më të ulëta se mesatarja 30-vjeçare prej 182 m³/s, çka përbën një deficit prej rreth 34%.
Kjo mungesë uji ka ndikuar drejtpërdrejt në rezervën energjetike dhe në rendimentin e kapacitetit prodhues të hidrocentraleve.
“Nisur nga kushtet hidrike aktuale, vlerësojmë se prodhimi total vjetor pritet të arrijë rreth 3,180 GWh, ose afërsisht 1,146 GWh më pak se mesatarja historike”.
7.“Kurum International”
“Kurum International”, me aktivitet në prodhimin, tregtimin e çeliqeve të ndërtimit e profileve të tjera të hekurit dhe prodhim energjie, pësoi rënie të të ardhurave për të dytin vit radhazi.
Qarkullimi vjetor në 2024-n ra me 33%, në 25.2 miliardë lekë. Një vit më parë tkurrja ishte 18%.
Sipas raportit të aktivitetit, Shoqëria, gjatë vitit 2024 ka vijuar aktivitetin e saj në të gjithë sektorët e prodhimit, përfshirë prodhimin e prokateve të çelikut në fabrikën e çelikut, prodhimin e shufrave të çelikut në fabrikën e petëzimit, prodhimin e gëlqeres në fabrikën e gëlqeres, si dhe prodhimin e energjisë elektrike në 4 HEC-et në pronësi të saj.
Kompania raporton se ka prodhuar rreth 144 mijë tonë prokate çeliku, me rritje 6% nga viti i kaluar dhe rreth 200 mijë tonë shufra çeliku, me tkurrje prej 29% në raport me vitin 2023.
Në aktivitetin tjetër, atë të energjisë, u prodhuan rreth 366 milionë KW, me rënie 2% me bazë vjetore.
Sipas të dhënave në bilanc, rënia e të ardhurave është ndikuar nga tkurrja e shitjeve të hekurit dhe nënprodukteve të tij (nga 33 miliardë lekë në 20.2 miliardë lekë), ndërsa arkëtimet nga shitja e energjisë u rritën nga 2.8 në 4.6 miliardë lekë.
Në gusht, shoqëria ndaloi prodhimin e hekurit, duke cituar koniunkturën e pafavorshme ndërkombëtare.
Gjatë vitit 2024, Shoqëria vijoi me planin e miratuar të Ristrukturimit, të Vendimit të Gjykatës datë 30.6.2017.
Sipas vlerësimeve të bëra, në total janë shlyer rreth 21.3 milionë euro në principale dhe rreth 452 mijë euro interesa ndaj kreditorëve.
“Gjatë 2024-s, me rëndësi ka qenë fakti që shoqëria ka përmbyllur me sukses pagesat ndaj kreditorëve duke mbyllur procesin e riorganizimit të nisur në vitin 2017, ndaj nga viti 2025, shoqëria është liruar totalisht nga detyrimet kreditore të asaj periudhe”, pohon Erdal Demir, Administrator i “Kurum”.
8.“Noa Energy Trade”
“Noa Energy Trade” ka hyrë për herë të parë në listën e 10 shoqërive më të mëdha sipas qarkullimit vjetor. Shoqëria, që ka aktivitet në tregtimin e energjisë elektrike, kishte të ardhura prej 26.2 miliardë lekësh, me rritje të fortë prej 36.4% në krahasim me një vit më parë.
“Këto të ardhura përfaqësojnë të ardhura nga shitja e energjisë elektrike brenda vendit, nga tranziti i energjisë elektrike, si dhe nga eksportimi i energjisë elektrike”, thuhet në raportin e aktivitetit.
9.“Banka Kombëtare Tregtare”
“Banka Kombëtare Tregtare” (BKT) është sërish edhe në vitin 2024 në listën e 10 më të mëdhave, pasi rihyri në vitin 2023.
BKT mbetet banka më e madhe në vend sa u përket të ardhurave, me qarkullim prej 23.9 miliardë lekësh në 2024, me zgjerim prej 9.8%.
Sipas të dhënave të tjera nga Shoqata e Bankave, BKT është më e madhja në vend për nga totali i aktiveve, e katërta për nga huadhënia në ekonomi dhe e para për nga depozitat.
“Viti 2024 ishte një vit i mirë për BKT, ku pothuajse të gjitha objektivat tona u arritën. Ne rritëm kreditimin e ekonomisë me 20% në terma të euros, ndërkohë që mbajtëm një nivel të ulët të kredive me probleme.
Kthimi nga kapitali ishte gjithashtu shumë i shëndetshëm, në nivelin 20% në terma të dollarit amerikan, pasi kapitali ynë aksionar është i denominuar në këtë monedhë.
Si rezultat, norma e mjaftueshmërisë së kapitalit ishte 19% dhe forcuam më tej kapitalin tonë me emetimin e dytë të MREL”, pohon Z. Seyhan Pencabligil, Drejtor i Përgjithshëm dhe Anëtar Bordi i BKT.
10.“Inter Distribution Services”
“Inter Distribution Service”, prej disa vitesh ka kaluar në distributorin më të madh të produkteve me shumicë në vend.
Në vitin 2024, kompania për herë të parë ka hyrë në listën e më të mëdhave. Qarkullimi vjetor ishte 22.6 miliardë lekë, me rritje 16.7%, në raport me vitin e mëparshëm.
Sipas raportit vjetor, “gjatë këtij viti, në përputhje me strategjitë dhe prioritetet e kompanisë dhe të furnitorit, ka vijuar rritja e investimeve në trajnimin dhe kualifikimin e burimeve njerëzore, si dhe në përmirësimin e metodave të shitjes, administrimit dhe menaxhimit operacional e logjistik.
Nga ana tjetër, një vëmendje e shtuar i është kushtuar mirëmbajtjes dhe optimizimit të portofolit të produkteve që trajton kompania jonë”.
Mungesa e fuqisë punëtore, kompanitë po rrisin pagat
Prej disa vitesh, në raportet e tyre vjetore, sipërmarrjet vënë në dukje problematikat kryesore me të cilat ato po përballen. Më kryesorja mbetet si paqëndrueshmëria e fuqisë punëtore, ashtu dhe mosgjetja e saj.
Shoqëritë raportojnë se po rrisin vazhdimisht pagat për punonjësit e tyre.
“Lëvizja e stafit dhe ikja e tyre jashtë kufijve ka krijuar vështirësi të shumta në menaxhimin e burimeve njerëzore dhe ofrimin e një shërbimi shëndetësor të një standardi të lartë”, theksohet në raportin vjetor të “American Hospital”.
I njëjti shqetësim për fuqinë punëtore konstatohet dhe nga “BALFIN Construction”, pjesë e një ndër grupeve më të mëdha në vend, BALFIN.
Mungesa e fuqisë punëtore dhe produktiviteti i tyre është një nga faktorët kryesorë që po ndikon në industrinë e ndërtimit, krahas rritjes së kostove, një faktor që përmendet për të disatin vit radhazi në raportin vjetor.
“Mungesa e fuqisë punëtore për të përfunduar një projekt ose për të arritur qëllimet e produktivitetit është një rrezik i madh kur merren projekte të reja. Mungesa e fuqisë punëtore për të kryer punën mund të çojë me punë jashtë orarit dhe vonesat e mundshme në dorëzimin e projektit në kohë”.
Kompania thotë në raportin vjetor se paga mesatare bruto ishte 158 mijë lekë në vitin 2024, nga 137 mijë lekë një vit më parë.
Shoqëria ka parë një lëvizje më të madhe të stafit në 2024-n, me një qarkullim vjetor të punonjësve prej 24.6%, nga 8.5% në vitin 2023, sipas raportit vjetor.
“NEPTUN”, që tregton pajisje elektroshtëpiake, thekson se rreziqet fiskale, emigracioni dhe zhvillimet ndërkombëtare kanë shtuar pasiguri për kompanitë që operojnë në Shqipëri.
Për “Conad Albania”, një prej zinxhirëve më të mëdhenj të supermarketeve në vend, plakja dhe rënia e forcës punëtore në Shqipëri, migrimi i të rinjve jashtë vendit dhe pasiguria ekonomike në shkallë globale mbeten sfidat kryesore të aktivitetit.
“Bami Holding”, me aktivitet në ndërtim, thekson se “mungesa e punonjësve të kualifikuar dhe e kapaciteteve për të përmbushur afatet e projekteve përbën një nga rreziqet më të mëdha për projektet infrastrukturore.
Kjo mund të rezultojë në punë jashtë orarit, rritje të kostove dhe vonesa në përfundimin e punimeve”.
“Coral”, me aktivitet në përpunimin e peshkut, thekson se “mungesa e theksuar e punonjësve ka sjellë vonesa në dorëzimin e porosive. Rritja e përgjithshme e kostove përsëri ka qenë problematikë e madhe”.
Kompanitë rrisin pagat dhe vëmendjen te burimet njerëzore
Kompanitë raportojnë rritje të pagave të personelit dhe vëmendje më të lartë në menaxhimin e burimeve njerëzore.
Shoqëria që ushtron aktivitet në fushën e agropërpunimit, “Kombinati i Mishit”, thekson në raport se “me zgjerimin e aktivitetit kryesor, është rritur dhe shpërblimi i punonjësve, si dhe janë zgjeruar më tej hapësirat dhe mundësitë për kualifikim të vazhdueshëm, shpërblim të arsyeshëm dhe kontributi për realizimin personal të tyre.
Numri i punonjësve të kompanisë u ul në 380 nga 390 vitin e mëparshëm, ndërkohë që shpenzimet e personelit u rritën me 14% për të njëjtën periudhë”.
“Elka-SA”, me aktivitet në shpërndarjen dhe prodhimin e produkteve ushqimore, raporton se “në fund të vitit 2024, kompania ka një numër prej 52 punonjësish gjithsej, të punësuar në sektorë të ndryshëm të kompanisë.
Gjatë vitit 2024 i është dhënë përparësi sektorit të burimeve njerëzore, duke shtuar staf të kualifikuar me qëllim arritjen e objektivave që kompania ka për një personel cilësor dhe profesionist.
Pagat e stafit të kompanisë ‘Elka’ gjatë vitit 2024 kanë shënuar rritje të konsiderueshme duke u bërë një nga kompanitë me paga nga më të mirat në vend. Fondi i pagave ishte 686 milionë lekë, me rritje prej 9.74%”.
“KID Zone”, me aktivitet në tregtimin me pakicë (linja “Jumbo”) pohon se paga mesatare bruto e punonjësve arriti në 80.7 mijë lekë. Në vitin 2024, numri efektiv mesatar i punonjësve ishte 297, nga 264 në vitin 2023.
“Gjatë vitit 2024, qarkullimi i punonjësve ishte relativisht i lartë. Largimi i punonjësve ishte rreth 37.4% gjatë vitit.
Shumica e punonjësve të kompanisë, përfshirë të gjitha nivelet dhe pozicionet, janë të kualifikuar dhe të orientuar drejt nevojave të kompanisë”.
Pikat e dobëta të ekonomisë, sipas raportit të “Kid Zone” janë:
– Ekonomi e padiversifikuar dhe me një shkallë të ulët hapje demografike jofavorizuese: plakja dhe emigracioni.
– Shkallë e lartë informaliteti e ekonomisë.
– Varfëria, si dhe prioriteti i ulët i dhënë edukimit
– Sistemi gjyqësor dhe administrativ inefektiv dhe i politizuar.
– Korrupsion dhe krim i organizuar, shpesh të ndërlidhur me njëri – tjetrin.