Ata për këtë fenomen po i njoftojnë organet e drejtësisë të cilat bëjnë ekzaminimin e monedhave të falsifikuara.
Sipas të dhënave të kësaj agjencie, nga 1 janari e deri më 31 gusht janë regjistruar 1 mijë 269 kartëmonedha të falsifikuara.
Kartëmonedha më e falsifikuar është 200 euro, ku për tetë muaj janë hasur 556 kartëmonedha të falsifikuara.
Pas 200 eurove, renditet e dyta kartëmonedha prej 50 euro duke e pasuar atë me 100 euro.
244 kartëmonedha janë hasur që nga fillimi i vitit deri në fund të muajit gusht, derisa nga ato prej 100 eurove, janë hasur 237.
86 kartëmonedha janë verifikuar si fals nga 20 euro, 82 nga 5 euro, 53 nga 10 euro dhe 11 kartëmonedha nga 500 euro, shkruan “Front Online” bazuar në statistikat e siguruara nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë.
Monedhat prej 2 euro, më të falsifikuarat në Kosovë këtë vit
Qytetarët nuk po hasin vetëm në kartëmonedha të falsifikuara, por edhe në monedha.
26 mijë e 259 monedha nga 2 euro janë hasur gjatë kësaj periudhë kohore, derisa nga 1 euro 3 mijë e 24 monedha, ndërsa 0.50 cent janë gjetur 26 copë.
Njohësi i ekonomisë: Falsifikimi i parasë nuk rrezikon euron, por dëmton rëndë ekonominë lokale
E lidhur me fenomenin e parave false në Kosovë, për “Front Online” ka folur njohësi i ekonomisë, Arton Muhaxheri.
Ai tha se falsifikimi i kartëmonedhave, nuk trondit stabilitetin makroekonomik të euros, por ka pasoja serioze për jetën e përditshme të qytetarëve.
Sipas tij, humbjet direkte që pësojnë qytetarët dhe bizneset janë vetëm një aspekt i problemit.
“Falsifikimi i kartëmonedhave është problem që, edhe pse nuk e trondit stabilitetin makroekonomik të euros, ka efekte të ndjeshme në jetën e përditshme të qytetarëve dhe në funksionimin e tregut lokal. Më i madh është efekti zinxhir që ky fenomen shkakton duke rritur pasigurinë në përdorimin e parasë fizike dhe duke e komplikuar qarkullimin normal të transaksioneve”, thotë ai.
Ai shton se dëmet ekonomike nuk duhen matur vetëm me shumat e humbura, por me ndikimin afatgjatë në stabilitetin dhe funksionimin e sistemit monetar.
“Sistemi monetar funksionon mbi bazën e besimit se çdo kartëmonedhë ka të njëjtën vlerë dhe pranohet universalish në treg. Kur ky besim tronditet, qytetarët dhe bizneset fillojnë të dyshojnë, të jenë më të rezervuar, ose të shmangin përdorimin e cash-it, gjë që krijon fërkime në ekonominë reale”, tha Muhaxheri për Front Online.
Falsifikimi i parasë është vepër penale dhe sanksionohet sipas nenit 302 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, andaj kushdo që prodhon, transporton, pranon, përdor ose posedon paranë e falsifikuar me qëllim që ta vërë në qarkullim si të vërtetë dënohet me gjobë ose burgim.
Sipas Ligjit për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, Nenit 19 – Valuta false, kartëmonedhat dhe monedhat e paraqitura tek institucionet financiare, që dyshohen të jenë false, duhet të tërhiqen nga qarkullimi dhe menjëherë t’u dorëzohen autoriteteve përgjegjëse për këtë.