E mërkurë, 4 Mars, 2026

18.1 milionë euro për 7 “sheshe” brenda sheshit “Xhorxh Bush”- çfarë parashikon kontrata

Ndaj

Më 15 gusht 2024, Komuna e Prishtinës shpalli njoftimin për kontratën e shumëpërfolur për ndërtimin e sheshit “Xhorxh Bush”, me vlerë të parashikuar prej 18.4 milionë euro. Kontrata u nënshkrua me konsorciumin “Salillari” SHPK, “Gjini Construction” dhe “Hidroterm”, me ofertë fituese prej 18,162,896.19 euro dhe me afat realizimi prej 240 ditësh, shkruan Kujdestari.info.

Megjithatë, punimet u ndalën menjëherë pas fillimit, duke e lënë zonën me pengesa dhe elemente të çmontuara. Rasti tashmë ndodhet në gjykatë, ndërsa sipas informacioneve të fundit, Komuna dhe Ministria po përpiqen të gjejnë një zgjidhje, pasi Komuna ka aplikuar për pëlqim institucional.

7 mini- sheshe brenda një projekti

Nga shqyrtimi i kontratës dhe paramasave rezulton se projekti nuk përfshin vetëm një hapësirë lineare, por është i ndarë në shtatë mini-sheshe funksionale, të trajtuara si njësi të veçanta brenda të njëjtit projekt. “Sheshi Katedralës 1” kap vlerën mbi 2.8 milionë euro dhe përfshin punë dheu, punime ndërtimore, gjelbërim, kanalizim dhe furnizim me ujë, ku vetëm punët ndërtimore arrijnë rreth 2.1 milionë euro. (KONTRATA)

“Sheshi Shkolla 2” parashihet të kushtojë rreth 721 mijë euro, ndërsa “Sheshi Komercial 03” mbi 1.1 milionë euro.

Peshën më të madhe financiare e mban “Sheshi Qendër 04” me mbi 6.7 milionë euro, duke u renditur si segmenti më i kushtueshëm i gjithë projektit. “Sheshi Koncerteve 05” kap vlerën mbi 3.1 milionë euro dhe përfshin punime për ndriçim, ujëra të zeza, fontanë, punime përgatitore dhe gjelbërim. “

Sheshi Rekreacioni 06” parashihet të kushtojë mbi 1.7 milionë euro dhe përfshin dhjetë pozicione të veçanta, ndërsa “Sheshi Studentëve 07” mbi 1.8 milionë euro.

Totali i përllogaritur sipas kontratës është 18.162 milionë euro.

Në tabelat e paramasave, të cilat shtrihen në dhjetëra faqe të kontratës, janë përfshirë qindra artikuj me çmime të veçanta për secilin element të projektit. Parashihen punë të gjera dheu dhe gërmime, shtresa strukturore dhe betonime, shtrime me pllaka graniti dhe elemente dekorative urbane, kanalizim atmosferik dhe fekal, rrjet furnizimi me ujë, sistem ndriçimi publik me kabllim nëntokësor, elemente urbane si ulëse dhe kosha mbeturinash, si dhe gjelbërim intensiv me mbjellje drunjsh dekorativë, shkurre dhe sipërfaqe bari. Në zonat rekreative dhe të koncerteve përfshihen platforma betoni, struktura për organizim eventesh dhe elemente ujore dekorative, përfshirë fontanën.

Kontrata parasheh siguri ekzekutimi në vlerë 10 për qind të shumës së kontraktuar, që përkthehet në mbi 1.8 milionë euro garanci bankare nga kompania fituese. Po ashtu, periudha garantuese për defektet është 10 vjet nga pranimi i punimeve, ndërsa për çdo ditë vonesë parashihen penalitete financiare prej 0.025 për qind të çmimit përfundimtar.

Edhe pse projekti duhej të përfundonte brenda 240 ditëve nga data e fillimit të punimeve, ndalimi i menjëhershëm i tyre ka krijuar paqartësi ligjore dhe financiare rreth fatit të mbi 18 milionë eurove të kontraktuara.

Analiza e detajuar e paramasave tregon se projekti nuk parashikon vetëm një lloj shtrimi, por disa lloje të ndryshme pllakash dhe sipërfaqesh. Në listat e punimeve përfshihen pllaka graniti me dimensione dhe trashësi të ndryshme, pllaka betoni vibro-pres, elemente dekorative prej guri natyror, si dhe bordura të tipologjive të ndryshme për ndarjen e hapësirave. Në disa zona parashihen pllaka më të trasha dhe me përpunim më cilësor, duke sugjeruar trajtim më reprezentativ, ndërsa në segmente të tjera përdoren elemente më standarde urbane. Kjo tregon se sheshi është konceptuar me nivele të ndryshme funksionale dhe estetike brenda të njëjtit projekt.

Gjithashtu, parashihen sasi të konsiderueshme të betonit të armuar dhe shtresave mbajtëse nën sipërfaqe, përfshirë shtresa stabilizuese, zhavorr, beton bazë dhe beton strukturor në disa nivele.

Në pjesën e gjelbërimit, projekti përfshin kategori të ndryshme drunjsh dekorativë, shkurre shumëvjeçare, mbulesa bimore dhe sistem ujitjeje të integruar, si dhe elemente për përgatitjen e tokës dhe substratit. Në segmentin e ndriçimit publik, kontrata përfshin shtylla dekorative, ndriçim LED, kabllim nëntokësor, puse elektrike dhe elemente të shpërndarjes energjetike, çka tregon se parashihet instalim i një rrjeti të ri në disa zona.

Fakti që “Sheshi Qendër 04” mban vlerën më të lartë financiare, mbi 6.7 milionë euro, tregon se zona kryesore ka trajtim më intensiv arkitektonik dhe inxhinierik krahasuar me segmentet e tjera, ndërsa “Sheshi Koncerteve” përfshin elemente specifike si fontanë dhe infrastrukturë për evente, të cilat e tejkalojnë konceptin e një sheshi standard kalimtar. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera