E mërkurë, 4 Mars, 2026

17 vite shtet: A është dyfishuar mirëqenia e Kosovës?

Ndaj

Më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë si shteti më i ri në Evropë. Përveç dimensionit politik dhe historik, pavarësia solli edhe sfidën më të madhe, atë për ndërtimin e një ekonomie funksionale, të qëndrueshme dhe konkurruese, shkruan Kujdestari.info.

Sot, 17 vite më vonë, ekonomia e Kosovës paraqet një tablo të përzier. Rritje të vazhdueshme ekonomike dhe buxhet më të madh shtetëror, por edhe varësi të lartë nga importet dhe remitencat. Çfarë tregojnë konkretisht shifrat?

Prodhimi i Brendshëm Bruto (GDP)

2008:

GDP totale: rreth 5 miliardë euro

GDP për frymë: rreth 2,800 – 3,000 euro

2024:

GDP totale: mbi 10–11 miliardë euro

GDP për frymë: mbi 6,000 euro

Pra, ekonomia e Kosovës është pothuajse dyfishuar në madhësi që nga pavarësia. Rritja mesatare vjetore ka qenë rreth 3-4%, me përjashtim të vitit pandemik 2020.

Megjithatë, GDP për frymë mbetet ndër më të ulëtat në rajon.

Buxheti i Shtetit

2008:

Buxheti: rreth 1 miliard euro

2026:

Buxheti i miratuar: mbi 3 miliardë euro

Pra, buxheti i shtetit është trefishuar.

Por rritja e buxhetit lidhet kryesisht me konsum dhe jo domosdoshmërisht me rritje të prodhimit vendor.

Tregtia e Jashtme- Eksportet dhe Importet

2008:

Eksportet: rreth 200–300 milionë euro

Importet: mbi 2 miliardë euro

2024:

Eksportet: mbi 900 milionë – 1 miliard euro

Importet: mbi 5 miliardë euro

Deficiti tregtar mbetet i lartë. Kosova vazhdon të jetë një ekonomi e varur nga importi, me bazë konsumi dhe me prodhim të kufizuar industrial.

Rritja e eksporteve ekziston, por nuk ka arritur të balancojë importet.

Investimet e Huaja Direkte (FDI)

Sipas të dhënave të BQK-së FDI në vitet e para pas pavarësisë: 300–400 milionë euro.

Në vitet e fundit: 700+ milionë euro në disa vite rekorde

 Investimet janë përqendruar kryesisht në patundshmëri, sektor financiar, ndërtim. Më pak në industri prodhuese dhe teknologji.

 Papunësia

2008-2012

Papunësia mbi 30%

2024:

Papunësia rreth 10–12%

Ka rënie të dukshme statistikore, por pjesëmarrja në tregun e punës mbetet e ulët, emigrimi masiv ka ndikuar në uljen e papunësisë. Papunësia e të rinjve mbetet sfidë serioze

Inflacioni dhe Stabiliteti

Pas krizës globale të çmimeve 2022–2023: Inflacioni është stabilizuar rreth 2%. Sistemi bankar konsiderohet stabil dhe borxhi publik mbetet nën 25% të GDP-së

Kjo e bën Kosovën një nga vendet me borxh relativisht të ulët në rajon.

Remitencat

Remitencat janë një faktor kyç ekonomik. 2008: 858 milion  euro.

2025: rreth 1.9 miliardë  euro/

Ato përbëjnë mbi 15% të GDP-së dhe ekonomia mbështetet fuqishëm në diasporë.

Pavarësia e Kosovës ka sjellë stabilitet makroekonomik dhe rritje të qëndrueshme. Megjithatë, sfida e madhe mbetet transformimi nga një ekonomi e bazuar në konsum dhe remitenca, në një ekonomi prodhuese dhe eksportuese. /Kujdestari.info/

Lexo më shumë

Të tjera