Në garën për rehabilitimin e Njësisë A3 janë futur pesë kompani dhe konsorciume, nga superfuqia energjetike indiane NTPC, deri te firmat që kanë kontrata milionëshe me KEK-un.
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka bërë hapjen publike të ofertave për një nga projektet më të mëdha të viteve të fundit në sektorin energjetik, atë për rehabilitimin dhe modernizimin e bllokut A3 të Termocentralit “Kosova A”. Vlera e këtij tenderi kap shifrën prej 137 milionë euro, ndërsa pesë kompani ose konsorciume ndërkombëtare dhe vendore kanë dorëzuar ofertat e tyre në fazën e parakualifikimit. Ceremonia e hapjes së ofertave është transmetuar drejtpërdrejt (LIVE) për transparencë publike.
Kompanitë që kanë ofertuar janë:
-
“SBB Energy S.A; Intering SH.PK; EthosEnergy”
-
“LIMAK INSAAT SANAYI ve TICARET A.S”
-
“GOLDEN CONCORD GROUP LIMITED”
-
“KEPCO Plant Service Engineering Co.LTD; DYPNF Co., Ltd; BHI CO, Ltd”
-
“HIB Petrol SH.P.K; Florian Viqa; NTPC Limited”
Kush janë këto kompani?
1. SBB Energy S.A.; Intering SH.PK; EthosEnergy
SBB Energy S.A. është një kompani me seli në Poloni, themeluar në vitin 1992, e specializuar në rinovimin e termocentraleve dhe sistemeve energjetike me përqasje të qëndrueshme. E drejtuar nga Ziemoëit Słomczyński, SBB ka mbi 300 punonjës dhe projekte në zëvendësimin e kaldajave, përdorimin e biomasës, sistemet e hidrogjenit dhe ruajtjes së energjisë.
Intering SH.PK, është një kompani vendore e lidhur me biznesmenin Xhevdet Shoshi (i njohur edhe si pronar i “Onix SPA -Baja e Pejës), ka histori kontratash të shumta me KEK-un, përfshirë dy projekte prej rreth 4 milionë euro vetëm në vitin 2018.
EthosEnergy është një kompani me seli në Holandë që operon në mbi 20 shtete. E fokusuar në mirëmbajtjen e turbinave dhe impianteve energjetike, kompania së fundmi bleu një operator amerikan me përvojë 50-vjeçare në pjesët e turbinave (Turbine Services Ltd). Në qershor 2024, EthosEnergy fitoi një kontratë prej 830,000 euro nga KEK për instalimin e rotorëve të pompave furnizuese në njësinë B2.
2. LIMAK INSAAT SANAYI ve TICARET A.S
Limak, gjiganti turk i ndërtimit dhe infrastrukturës, është i njohur për projekte të mëdha si Aeroporti i Stambollit, Terminali II në Kuwait, si dhe për ndërtimin e hidrocentraleve dhe urave të mëdha.
Në Kosovë, është bashkëpronar (me Çalik Holding) i KEDS – Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike. Po ashtu, ka ndërtuar edhe Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari”. Në vitin 2024, Limak u rendit në vendin e 48-të në botë në listën e ndërtuesve ndërkombëtarë sipas Engineering News-Record (ENR).
3. Golden Concord Group Limited (GCL)
Kompania etretë në garë Golden Concord Group Limited (GCL) është një konglomerat global i energjisë së rinovueshme me seli në Hong Kong. Grupi është themeluar në vitin 1990 nga Zhu Gongshan, i cili gjithashtu mban pozitat e Kryetarit dhe CEO-së të GCL Technology Holdings Limited dhe është një figurë udhëheqëse në industrinë globale të energjisë diellore. Ky grup është i lidhur ngushtë me Zhu Gongshan, një nga themeluesit dhe drejtuesit kryesorë të tij. Grupi ka prani në më shumë se 30 vende, përfshirë Kinën, Afrikën, Lindjen e Mesme, Amerikën e Veriut, Azinë Juglindore dhe Evropën. Golden Concord Group është në pronësi të disa kompanive të listuara dhe të tjera të lidhura, përfshirë:
GCL-Poly Energy Holdings Limited;
GCL System Integration Technology Co., Ltd;
GCL Neë Energy Holdings Limited;
GCL synon zhvillimin e energjisë së rinovueshme në përmasa globale, duke përfshirë projektet solare dhe ruajtjen e energjisë.
4. Konsorciumi tjetër në garë përbëhet nga: KEPCO Plant Service Engineering Co. LTD, DYPNF Co. Ltd, dhe BHI Co. Ltd.
KEPCO Plant Service & Engineering Co., Ltd. (KEPCO KPS) është një ndërmarrje shtetërore e Koresë së Jugut, që operon nën kontrollin e korporatës shtetërore Korea Electric Power Corporation (KEPCO). Kompania është e specializuar në mirëmbajtje, rinovim dhe komisionim të termocentraleve, centraleve hidro dhe nukleare, si dhe të stacioneve të transmetimit të energjisë brenda dhe jashtë Koresë së Jugut.
DYPNF Co., Ltd. (e njohur më parë si “Dong Yang P&F Co., Ltd.”) është një kompani e listuar në bursën KOSDAQ, e themeluar në vitin 1996 me seli në Seul. Ajo është e specializuar në ndërtimin e sistemeve pneumatikë të transportit për industrinë kimike, ushqimore, të baterive dhe të energjisë. Po ashtu, kompania ndërton impiante industriale dhe merret me renovimin e fabrikave.
BHI Co., Ltd. (ish “Bumwoo ENG Co., Ltd.”) është gjithashtu e listuar në bursën KOSDAQ dhe u themelua në vitin 1998 me seli në Haman-gun, Gyeongsangnam-do. Kompania prodhon dhe furnizon pajisje për termocentrale si bojlera, HRSG (Heat Recovery Steam Generators), kondensatorë dhe sisteme për kompensimin e nxehtësisë. Ajo angazhohet gjithashtu në projekte EPC dhe ndërtim të infrastrukturës industriale për impiante energjetike dhe për industrinë e çelikut.
5. HIB Petrol SH.P.K; Florian Viqa; NTPC Limited
HIB Petrol është një nga kompanitë më të mëdha në tregtinë dhe transportin e derivateve në Kosovë, me rrjet prej disa pikash shitjeje, mbi 600 punonjës, dhe bashkëpunime me organizata si Qeverinë e Kosovës, UNMIK, EULEX, USAID, etj.
NTPC Limited është kompania më e madhe publike për prodhimin e energjisë në Indi, themeluar në vitin 1975. Është e kontrolluar nga Ministria e Energjisë e Indisë (51.1% pronësi). Ka mbi 76 GW kapacitet të instaluar, duke përfshirë termocentrale me qymyr, gaz, si dhe projekte në energjinë diellore, erës dhe bërthamore.
Sipas KEK, qëllimi i këtij projekti është që të zgjatet jetëgjatësia funksionale e Njësisë A3 për të paktën 20 vjet të tjera. Kjo njësi, e cila gjeneron rreth 10% të energjisë kombëtare, është jetike për furnizimin e qëndrueshëm me energji elektrike në Kosovë. Përmes këtij investimi pritet rritja e efikasitetit, ulja e ndotjes mjedisore, si dhe optimizimi i performancës operacionale të termocentralit.