Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar një raport tronditës për mënyrën se si Komuna e Gjilanit ka menaxhuar pronat e saj publike gjatë periudhës janar 2023 – dhjetor 2024, shkruan Kujdestari.info.
Auditimi, me temën “Dhënia në shfrytëzim e pronave komunale dhe monitorimi i tyre”, kishte për objektiv të vlerësonte nëse kjo komunë kishte respektuar ligjin dhe procedurat gjatë dhënies me qira të pronave publike, si dhe mënyrën se si janë menaxhuar kontratat e lidhura.
Por gjetjet e auditorëve flasin për një kaos të plotë: mbi 95 për qind e mostrave të testuara rezultuan me parregullsi, ndërsa komuna nuk ka arritur as të ruajë, e as të rrisë vlerën e pasurisë që administroi.
Një nga gjetjet më të rënda të ZKA-së lidhet me uzurpimin e pronave publike nga dy parti politike.
Sipas auditimit, Komuna e Gjilanit kishte evidentuar në vitin 2019 gjithsej 114 prona të uzurpuara nga paslufta deri në atë kohë, por asnjë listë nuk ekziston për pronat e liruara apo për veprimet konkrete që janë ndërmarrë për rikthimin e tyre.
Gjatë ekzaminimeve në terren, auditorët zbuluan se dy prona komunale, të dokumentuara me fletëposeduese, vazhdojnë të shfrytëzohen pa kontrata, pa pagesa dhe pa dokumentacion nga dy subjekte politike.
Komuna, e pyetur nga auditorët, ka konfirmuar përmes emailit se për këto prona nuk ekziston asnjë kontratë apo evidencë tjetër, përveç fletës posedues.
Sipas ZKA-së, kjo situatë ka ardhur si pasojë e mungesës së një regjistri të plotë të pronave komunale dhe të kontrollit të brendshëm adekuat. Auditorët theksojnë se uzurpimi jo vetëm që dëmton buxhetin komunal dhe pengon arkëtimin e të hyrave, por paraqet edhe keqpërdorim të pastër të pasurisë publike për interesa partiake, raporton Kujdestari.info.


Kontrata pa ankande dhe pa afat
Këto kontrata, të nënshkruara nga kryetari i komunës i asaj kohe, vazhdojnë ende të jenë aktive, edhe pse ligji kërkon proces të hapur dhe transparent përmes ankandit publik.
Sipas auditorëve, qiramarrësit jo vetëm që shfrytëzojnë lokalet pa konkurrencë, por edhe akumulojnë borxhe ndaj komunës. Vetëm për këto kontrata borxhi i papaguar ka arritur në 33,672 euro deri në fund të vitit 2024.
Një rast tjetër flagrant është dhënia e dy parcelave për institucione fetare pa asnjë procedurë ligjore e pa vendim të Kuvendit Komunal. Ngjashëm, edhe dy fusha futbolli iu dhanë në shfrytëzim klubeve lokale me ndërhyrje të FFK-së, pa kontrata e pa kushte të përcaktuara qartë.
Ankande të mbyllura për publikun
Ligji kërkon që çdo ankand publik për pronat komunale të shpallet në faqen zyrtare të komunës, në tabelat e shpalljeve dhe të paktën në një media lokale. Por në Gjilan, auditorët zbuluan se në tri raste të zhvillimit të ankandeve (2018, 2019 dhe 2021), as njoftimi dhe as rezultatet nuk janë bërë publike.
Kjo praktikë, sipas ZKA-së, cenon drejtpërdrejt transparencën dhe rrit rrezikun e favorizimeve.
Borxhe të papaguara dhe kontrata të pa menaxhuara
Komuna e Gjilanit jo vetëm që nuk ka zhvilluar procedura të rregullta për dhënien e pronave, por as nuk ka menaxhuar kontratat ekzistuese.
Në 30 raste të shqyrtuara, shfrytëzuesit nuk i kishin respektuar detyrimet financiare. Njëri prej tyre, vetëm për shfrytëzimin e parkingjeve, kishte një borxh prej 27,284 eurosh. Në total, në fund të vitit 2024, borxhet e papaguara nga qiramarrësit kishin arritur në 170,397 euro, ndërsa komuna nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim ligjor për t’i inkasuar këto shuma apo për të ndërprerë kontratat.
Auditorët theksojnë se raportet financiare të komunës tregojnë një rritje të vazhdueshme të borxheve:
-
Në vitin 2023, obligimet nga qiratë arritën në 330,998 euro, ndërsa u arkëtuan vetëm 30.58% e tyre.
-
Në vitin 2024, obligimet arritën në 363,491 euro, me një shkallë arkëtimi prej vetëm 31.51%.
Për më tepër, komuna nuk mbanë kartela të rregullta financiare për secilën kontratë, por vetëm një tabelë të thjeshtë në Excel, shpesh të pasaktë e jo të plotë.
Konkluzionet e auditimit:
Bazuar në gjetjet e auditimit, Komuna e Gjilanit nuk ka vepruar në pajtueshmëri me ligjin për dhënien në shfrytëzim të pronave komunale, si dhe nuk ka monitoruar e menaxhuar si duhet kontratat e qiradhënies.
Mungesa e veprimeve adekuate ka bërë që pronat komunale të jepen pa aprovim nga Kuvendi dhe pa konkurrencë, duke rritur rrezikun e keqpërdorimit dhe humbjes së të hyrave. Komuna ka identifikuar 114 prona të uzurpuara, por kjo nuk është lista e plotë: auditorët gjetën dy prona të tjera komunale që nuk menaxhohen dhe nuk gjenerojnë të hyra.
Dobësitë e identifikuara përfshijnë: procedura të paplota të qiradhënies pa ankand publik, kontrata me qiramarrës të papërshtatshëm, menaxhim joefektiv i borxheve, regjistra kontabël dhe kartela financiare jo të sakta, si dhe dhënie të pronave me afat të pacaktuar në kundërshtim me ligjin.
Rekomandimet kryesore:
Për Kryetarin e Komunës:
-
Sigurimi i një procesi objektiv, transparent dhe efikas për ankandet publike;
-
Vendosja e kontrolleve efektive dhe mbajtja e evidencave të sakta financiare për çdo qiramarrës;
-
Marrja e veprimeve ligjore ndaj qiramarrësve që nuk përmbushin kontratat, përfshirë ndërprerjen e kontratave me afat të pacaktuar;
-
Kthimi i pronave komunale të uzurpuara dhe të përdorura ilegalisht;
-
Raportim i rregullt për Kuvendin Komunal për zbatimin e kontratave.
Për Kuvendin Komunal:
-
Kërkesa për raportim periodik dhe të detajuar nga Kryetari lidhur me menaxhimin e pronave;
-
Hartimi dhe zbatimi i një plani veprimi për përmirësimin e menaxhimit dhe zbatimit të kontratave;
-
Ushtrimi i funksionit mbikëqyrës për të kërkuar përgjegjësi në rast të mosveprimeve të ekzekutivit. /Kujdestari.info/