Më shumë familje, biznese e pajisje elektrike, konsum dukshëm më i madh, por prodhimi nga termocentralet vjet ishte pothuajse në vendnumëro. Të dhënat e Vjetarit Statistikor 2026 nxjerrin në pah një problem strukturor të sektorit energjetik të Kosovës, duke treguar se në vitin 2025 termocentralet prodhuan madje më pak energji elektrike sesa në vitin 2014, ndërsa konsumi u rrit për afro 1.8 mijë GWh. Diferenca është shoqëruar me rritje të madhe të importeve, shkruan Kujdestari.info.
Në vitin 2014, termocentralet e Kosovës prodhuan 5,324 GWh energji elektrike.
Në vitin 2025, njëmbëdhjetë vjet më vonë, prodhimi bruto i termocentraleve ishte 5,253.7 GWh.
Pra, jo vetëm që prodhimi nuk është rritur në përputhje me kërkesën, por në vitin 2025 ishte rreth 70 GWh, ose 1.3 për qind, më i ulët se në vitin 2014.
Krejt tjetër është zhvillimi i konsumit. Në vitin 2014, konsumi i energjisë elektrike ishte 3,743.8 GWh.
Në vitin 2025 arriti në 5,529.5 GWh. Kjo është rritje prej rreth 1,786 GWh, ose afërsisht 47.7 për qind.
Kështu, në harkun e 11 viteve kemi dy linja që lëvizin në drejtime krejt të ndryshme, pasi prodhimi nga termocentralet ishte -1.3%, kurse konsumi +47.7%
Ky është ndoshta krahasimi më domethënës që del nga kapitulli i energjisë në Vjetar.
Amvisëritë po konsumojnë shumë më tepër
Rritja është veçanërisht e dukshme te familjet.
Në vitin 2014, amvisëritë konsumonin 2,050.3 GWh energji elektrike.
Në vitin 2025 konsumi i tyre arriti në 3,393.1 GWh.
Kjo është rritje prej rreth 65.5 për qind.
Edhe sektori komercial ka pothuajse dyfishim.
Nga 710.3 GWh në 2014, konsumi komercial arriti në 1,381.3 GWh në 2025, rritje prej rreth 94.5 për qind.
Industria, ndërkohë, kaloi nga 229.8 GWh në 515 GWh, ose rreth 124 për qind më shumë.
Pra, kërkesa e Kosovës për energji ka ndryshuar thellësisht, ndërsa kapaciteti tradicional prodhues nuk ka ndjekur të njëjtin ritëm.
Nga 875 GWh importe në mbi 4,177 GWh
Pasojat shihen te importi.
Në vitin 2014 Kosova importoi 875.3 GWh energji elektrike.
Por, meqë konsumi ehste rritur, në vitin 2025 importi ishte 4,177.5 GWh.
Kjo është rreth 4.8 herë sasia e vitit 2014.
Por, Kosova njëkohësisht eksporton energji dhe ka shkëmbime ndërkufitare.
Në vitin 2025 eksporti ishte 2,565.2 GWh, krahasuar me 474.8 GWh në 2014.
Por edhe pasi importi dhe eksporti shihen së bashku, bilanci është domethënës.
Në vitin 2014 diferenca import-eksport ishte rreth 400.5 GWh.
Në vitin 2025 ishte rreth 1,612 GWh.
Pra, varësia neto e matur thjesht si diferencë mes importeve dhe eksporteve është rreth katër herë më e madhe.
Seria e Vjetarit tregon se problemi nuk është vetëm krahasimi i dy viteve të zgjedhura.
Prodhimi bruto në termocentrale ishte 5,979 GWh më 2015, 6,249 më 2016, 5,726 më 2017, 5,601 më 2018, 6,037 më 2019 dhe arriti në 6,663 GWh më 2020.
Më pas 6,585 GWh më 2021, 6,346 më 2022, vetëm 5,534 më 2023, 6,178 më 2024 dhe 5,254 GWh më 2025.
Pra, sistemi ka luhatje të mëdha, por nuk shfaq një trend të qëndrueshëm të rritjes së prodhimit termik.
Në anën tjetër, kërkesa ka një drejtim shumë më të qartë, nga 3,744 GWh më 2014 në 5,530 GWh më 2025.
Burimet alternative kanë hyrë në sistem. Vjetari evidenton se nga viti 2022 në kategorinë e prodhimit që paraqitet krahas hidrocentraleve janë përfshirë edhe era dhe energjia solare. Për vitin 2025 kjo kategori arrin 236.6 GWh.
Megjithatë, përmasat mbeten shumë më të vogla krahasuar me konsumin total.
Kosova e vitit 2025 nuk është Kosova energjetike e vitit 2014. Familjet konsumojnë 65% më shumë energji, sektori komercial rreth 95% më shumë dhe industria mbi dyfishin.
Por termocentralet prodhojnë afërsisht të njëjtën sasi.
Në vitin 2025, ndërkohë, konsumi final i të gjitha formave të energjisë në Kosovë arriti në 1,675.8 ktoe, 13.4% më shumë se një vit më parë, sipas Bilancit Vjetor të Energjisë të ASK-së. /Kujdestari.info/
