Për 9 muajt e parë të vitit 2025, Komuna e Prishtinës ka lëshuar 114 leje ndërtimi, duke miratuar në total 1,739,491.40 metra katrorë sipërfaqe ndërtimore, shkruan Kujdestari.info.
Megjithatë, procesi është shoqëruar me mungesë të theksuar transparence. Nga muaji maj deri në dhjetor 2025, lejet nuk janë publikuar në kohë reale në uebfaqen zyrtare të komunës, siç ka qenë praktikë e viteve të kaluara. Publikimi është bërë vetëm në dhjetor dhe lista përmban të dhëna vetëm deri më 18 shtator 2025, duke lënë të paqarta lejet e lëshuara për muajt pasues.
Nga analiza e të dhënave rezulton se pesë lejet më të mëdha për nga sipërfaqja ndërtimore përbëjnë mbi 200 mijë metra katrorë ndërtim, një pjesë e konsiderueshme e volumit total të miratuar për këtë periudhë.
5 lejet më të mëdha:
“Marigona Hill” sh.p.k — 62,965.51 m² (08.09.2025)
“Arijon Invest” L.L.C — 42,476.35 m² (01.07.2025)
“Glowing Group” L.L.C — 33,652.72 m² (24.06.2025)
“In On” sh.p.k — 33,224.27 m² (11.08.2025)
“Art Construction” L.L.C — 32,020.40 m² (30.06.2025)
Shumica e lejeve të mëdha janë për objekte shumëbanesore me afarizëm, që tregojnë vazhdimin e intensitetit të lartë të ndërtimit në zonat urbane të kryeqytetit.
Në total, 114 lejet e lëshuara për periudhën e publikuar dëshmojnë për një volum të lartë zhvillimi urban.
Mbetet e paqartë sa leje janë lëshuar pas datës 18 shtator 2025 dhe kur do të publikohet lista e plotë për vitin. /Kujdestari.info/