Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) ka njoftuar se deri më 31 korrik 2025, depozitat e mbajtura në këtë institucion arritën në 1.58 miliard euro, duke shënuar rritje prej 64.69 milionë euro krahasuar me periudhën paraprake, shkruan Kujdestari.info.
Sipas raportit, shumica e këtyre depozitave nuk janë kursime të qytetarëve, por para institucionale: 636.33 milionë euro janë nga Buxheti i Republikës së Kosovës (Llogaria e Thesarit), 616.99 milionë euro nga bankat komerciale, 186.95 milionë euro nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) dhe 135.64 milionë euro nga burime të tjera.
Po ashtu, BQK ka bërë të ditur se asetet e saj – që përfshijnë rezervat dhe investimet – në fund të korrikut 2025 arritën në 1.86 miliard euro, duke shënuar rritje prej 68.71 milionë euro krahasuar me muajin qershor. Kjo rritje, sipas institucionit, ka ardhur kryesisht nga shtimi i depozitave të Buxhetit të Kosovës, AKP-së, fondeve pensionale dhe Fondit për Sigurimin e Depozitave.
Në anën tjetër, vlera e investimeve të BQK-së jashtë vendit në formë depozitash dhe letrash me vlerë ishte 1.39 miliard euro. Krahasuar me muajin paraprak, investimet e jashtme janë rritur për 70.64 milionë euro – me rritje të depozitave për 101.39 milionë euro dhe ulje të investimeve në letra me vlerë për 30.76 milionë euro.
Kapitali i BQK-së deri në fund të korrikut arriti 118.77 milionë euro, ndërsa asetet e rezervës ndërkombëtare u ngritën në 1.46 miliard euro – një rritje prej 50.4 milionë euro brenda një muaji. Kjo rritje ka ardhur kryesisht nga shtimi i depozitave (77.4 milionë euro), pavarësisht uljes së investimeve në letra me vlerë (28.6 milionë euro).
Çfarë nënkuptojnë këto shifra për qytetarët?
Këto rezerva financiare të BQK-së nuk janë para që mund të shpenzohen direkt për projekte publike apo ndarje buxhetore. Ato shërbejnë si garanci për stabilitetin financiar të vendit, si “jastëk sigurie” në rast krizash ekonomike ose luhatjesh në tregjet ndërkombëtare.
Në praktikë, kjo rritje është një lajm pozitiv për sigurinë financiare të Kosovës, por nuk ka efekt të menjëhershëm në jetën e përditshme të qytetarëve. Megjithatë, stabiliteti i rezervave ndihmon indirekt në mbajtjen e besimit në sistemin bankar, në sigurinë e kursimeve dhe në qëndrueshmërinë e euros si valutë në Kosovë. /Kujdestari.nfo